Përmes votës, zviceranët i dhanë vetes të drejtën e një pensioni shtesë çdo vit.
Referendumi mbarëkombëtar i së dielës, i fokusuar tek standardet e jetesës për të moshuarit, rezultoi me 58 për qind të pjesëmarrësve që mbështetën marrjen e një pensioni të 13-të gjatë vitit, pavarësisht se qeveria qe shprehur se një rritje e shpenzimeve do të ishte tepër e shtrenjtë për t`u përballuar.
42 për qind e votuesve u shprehën kundër. Pensioni maksimal mujor prej 2,550 eurosh nuk mjafton për të jetuar në Zvicër, thonë shumë njerëz atje. Masa e shtyrë prej sindikatave të punëtorëve dhe partive të majta ose të qendrës, duhet të marrë tani aprovimin e shumicës së 26 kantoneve zvicerane. Por niveli i votave pro në referendum nënkupton se diçka e tillë mund të arrihet, sipas mediave vendase. “Ky hap konsiderohet një arritje e madhe në këndvështrimin e sindikatave”, pohoi Lukas Golder, i kompanisë së sondazheve gfs.bern, përtelevizionin SRF.
Qeveria, organizatat lobuese të biznesit dhe parlamenti, ku mazhorancën aktualisht e kanë të djathtët, e kanë kundërshtuar propozimin dhe e kanë konsideruar si të papërshtatshëm financiarisht. Në të kaluarën, votuesit zviceranë kanë qenë të kujdesshëm në miratimin e masave që i kanë konsideruar të rrezikshme për bizneset. Votimi për pensionet bie ndesh me referendumet e mbajtura në dekadat e fundit në Zvicër, në të cilat janë kundërshtuar propozimet për shkurtimin e ditëve të punës, apo për më shumë festa, dhe duket se faktor kryesor në këtë ndryshim të qëndrimit atje është kostoja e rritur e jetesës, e cila po kthehet ngadalë në një shqetësim madhor.