21/12/2024
Lajme Shqipëri

Vuante nga sëmundja e rëndë, përmetari niset nga Anglia por ndërron jetë rrugës

    Një histori tragjike vjen nga Përmeti, ku një 43-vjeçar emigroi nga Shqipëria në Angli për një jetë më të mirë duke mos e ditur që nuk do të kthehej më në atdhe.

    Kjo është histori e trishtë e Bilbil Isufit, i cili nga fshati Kosinë i Përmetit emigroi në Angli, ku jetonte prej vitesh. Isufi papritur nisi të kishte probleme shëndetësore, ku pas disa vizitave sfilitëse mësoi se vuante nga një sëmundje e rëndë. Mjekët nuk i dhanë shpresë për shërim dhe kjo bëri që 43-vjeçari të vendoste që të kthehej në atdhe për të kaluar ditët e fundit pranë prindërve të tij.

    Bilbil Isufi mori aeroplanin nga Londra me tranzit në Athinë. Gjatë fluturimit gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua dhe 43-vjeçari ndërroi jetë në Greqi. Ai nuk arriti ta përfundonte fluturimin e tij e të shkonte pranë familjes që t’i përqafonte për herë të fundit.

    Bilbil Isufi, babai i dy fëmijëve u largua me brengë në shpirt, pasi nuk arriti të shihte për herë të fundit prindërit e tij. Me dhimbjen e me plagë në shpirt, prindërit, miqtë e të afërm do i japin nesër lamtumirën e fundit Isufit. Varrimi do të bëhet nesër në orën 10.00 në fshatin Kosinë të Përmetit.