22/12/2024
Botë

VIDEO/ Publikohet momenti i vrasjes së gazetarit investigativ

    Gazetari investigativ kolumbian, Jaime Vásquez, që ushtronte edhe profesionin e avokatit u ekzekutua në fundjavë në sy të dhjetëra klientëve në një biznes në qytetin Kukuta, pranë kufirit me Venezuelën.

    Së fundmi, janë publikuuar edhe pamjet e kapura nga kamerat e sigurisë, ku tregohet momentin kur gazetari ekzekutohet me armë zjarri, pasi hyn në një dyqan, në përpjekje për t’i shpëtuar vrasësit.

    54-vjeçari shquhej si një prej aktivistëve më në zë kundër korrupsionit në vend. Në shkrimet e tij, ai ka bërë publike një sërë aferash korruptive dhe abuzimi me pushtetin mes zyrtarëve të lartë kolumbianë dhe ka zbuluar lidhjet e tyre me trafikantë të ndryshëm droge. Këtë të Martë, presidenti Gustavo Petro urdhëroi nisjen e hetimeve urgjente për zbulimin e autorit dhe porositësve të vrasjes së tij.

    Rasti ka shkaktuar reagimin e ashpër të opinionit publik, që e ka vënë në presion qeverinë për të ashpërsuar luftën kundër korrupsionit dhe grupeve të drogës, pasi Kolumbia vijon të jetë një nga qendrat e eksportit të Kokainës në botë. Sipas Fondacionit për Lirinë e Shtypit FLIP, nga 2006 në Kolumbi janë vrarë 167 gazetarë, ndërsa vetëm vitin e kaluar u kërcënuan me jetë 163 të tjerë.