Manastiri i Deçanit është afër realizimit të një synimi të kahmotshëm. Marrjen e pronësisë së 24 hektarëve tokë në Deçan.
Por, me vendimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, assesi nuk po pajtohen në komunën e Deçanit.
“Deçani përsëri goditet padrejtësisht, kësaj radhe nga një Urdhër Ekzekutiv i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti! Qe tri vite po pres që ky Kryeministër të më takoj një herë të vetme, për të diskutuar edhe për këtë temë për të cilën dha Urdhër Ekzekutiv sot! “Kur nuk je i zoti të bësh një hajr në këtë vend, është mirë të mos i bësh as sherr këtij vendi,” Bashkim Ramosaj, kryetar i Deçanit.
E ditë të zezë për Kosovë, e konsiderojnë edhe në Lëvizjen e Historianëve të Kosovës.
“Zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese është sulmi më i madh që i është bërë rendit juridik dhe kushtetues të Kosovës…Rastin do ta dërgojmë në Strasburg,” u shpreh Shkodran Imeraj – LHK “Ali Hadri.”
Gatishmërinë e qeverisë për të zbatuar vendimin, e kanë kritikuar edhe deputetë të partive opozitare.
Ndryshe nga ta, vendimi është mirëpritur nga ndërkombëtarët, të cilët vazhdimisht kanë kërkuar zbatimin e vendimit të Kushtetueses.
“Zbatimi i shumëpritur i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 për çështjen e Manastirit të Deçanit dhe Regjistrimit të truallit të Manastirit më në fund bëhet realitet. BE-ja bazohet në sundimin e ligjit. Ruajtja e sundimit të ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë parakushte të nevojshme për rrugën e Kosovës drejt BE-së,” tha Tomas Szunyog – Shef i Zyrës së BE-së në Kosovë.
Vendimi për pronat rreth Manastirit të Deçanit është përshëndetur edhe nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili tha se inkurajon lidershipin e Kosovës që të vazhdojë të punojë me aleatët e përbashkët, për të demonstruar se Republika e Kosovës është me të vërtetë një partner i rritur i besueshëm i komunitetit euro-atlantik.