30/12/2024
Maqedoni

Tetova mirëpret ditën e hapur të Armatës me rastin 4 vjetori të RMV-së në NATO dhe 75 vjetorit të formimit të Aleancës

    Në një atmosferë festive, Ministria e Mbrojtjes dhe Armata e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në bashkëpunim me Komunën e Tetovës, kanë organizuar një ditë të hapur për qytetarët në zemrën e qytetit. Ky aktivitet, i cili shënon 75-vjetorin e themelimit të NATO-s dhe katër vjetorin e anëtarësimit të vendit në Aleancë, ofron një mundësi unike për të pranishmit të përjetojnë muzikën e orkestrës ushtarake, të shohin nga afër aftësitë e forcave speciale dhe të njihen me teknologjinë dhe pajisjet ushtarake.

    Gjatë kësaj dite, qytetarët do të kenë rastin të komunikojnë direkt me pjesëtarët e ushtrisë dhe të mësojnë më shumë rreth karakteristikave të pajisjeve dhe mjeteve që përdoren nga njësitë speciale. Ngjarja do të mbikëqyret nga personalitete të larta ushtarake dhe përfaqësues të qeverisjes lokale, duke përfshirë ministrin e Mbrojtjes dhe Shefin e Shtatmadhorisë së Armatës.