23/12/2024
Maqedoni

Stevo Pendarovski pranon humbjen dhe uron presidenten e ardhshme të RMV-së

    Presidenti aktual Stevo Pendarovski ka pranuar humbjen dhe ka përgëzuar Gordana Silanovskën e cila këtë të mërkurë është zgjedhur me votat e qytetarëve për të qenë presidentja e ardhshme e Maqedonisë së Veriut.

    Gjatë një deklarate për mediat Pendarovski ka falënderuar të gjithë ata që e votuan, teksa përmendi edhe ata të cilët nuk lejuan qytetarët që të marrin pjesë në raundin e dytë të votimeve.

    “Sipas rezultateve, dua t’i përgëzoj fituesit, t’u uroj punë të suksesshme në pesë vitet e ardhshme. Koncepti im për një Maqedoni multietnike plotësisht të integruar në strukturat euroatlantike, sot, për fat të keq, nuk mori mbështetjen e shumicës nga qytetarët. Jam thellësisht i bindur se kjo është mënyra e vetme që Maqedonia të jetë një shtet demokratik dhe prosperues. Prandaj ndërgjegjja ime është e qetë. Nuk jam i sigurt që ndërgjegjja është e pastër për ata që nuk lejuan qytetarët të marrin votimin e dytë dhe të votojnë sot në zgjedhjet presidenciale”, tha ai ndër të tjera.

    Pas raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale, në vendin fqinj, ndonëse është numëruar vetëm një pjesë e votave, Siljanovska kryeson bindshëm me 62%, teksa presidenti aktual Stevo Pendarovski ka arritur të mbledhë vetëm 30.4% të preferencave.

    Pjesë nga fjala e Pendarovskit: 

    Më lejoni të falënderoj të gjithë pjesëmarrësit në procesin zgjedhor dhe të gjitha institucionet që siguruan që kjo ditë të ishte e drejtë dhe demokratike. E dimë se ka raportime për shkelje zgjedhore, por ia lëmë institucioneve t’i zgjidhin dhe të mos lënë asnjë njollë të errët në procesin zgjedhor.

    Rezultatet janë të qarta dhe nuk kam ndërmend t’i shtjelloj ato. Sipas rezultateve, dua t’i përgëzoj fituesit, t’u uroj punë të suksesshme në pesë vitet e ardhshme. Koncepti im për një Maqedoni multietnike plotësisht të integruar në strukturat euroatlantike, sot, për fat të keq, nuk mori mbështetjen e shumicës nga qytetarët. Jam thellësisht i bindur se kjo është mënyra e vetme që Maqedonia të jetë një shtet demokratik dhe prosperues. Prandaj ndërgjegjja ime është e qetë. Nuk jam i sigurt që ndërgjegjja është e pastër për ata që nuk lejuan qytetarët të marrin votimin e dytë dhe të votojnë sot në zgjedhjet presidenciale.