26/12/2024
Lajme Maqedoni

Sot u bashkua i gjithë Fronti i fitores kundër Rusisë, pro Europës (FOTO/VIDEO)

    Mijëra mbështetës, aktivistë dhe qytetarë të shumtë sonte kishin stërmbushur sallën “Rinia” në Gostivar” me rastin e firmosjes së marrëveshjes për koalicionim të Aleancës për Shqiptarët me Frontin Evropian të kryesuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim. I pari që foli ishte presidenti në ardhje, Bujar Osmani, ndërsa theks të veçantë vuri në rëndësinë e bashkimit në një Front që synim ka rrugën evropiane të shtetit dhe drejtësi e barazi për të gjithë qytetarët, pa dallim etnie.

    Në ndërkohë, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti e nisi aty ku, siç tha, e mbaroi Ziadin Sela i ASH-së.

    “Do të vazhdojë aty ku fillimin e pati Sela se shqiptarët në historinë e vet kanë bërë shumë përpjekje që nga periudha e Skënderbeut deri te Rilindja Kombëtare e deri te Ushtria Çlirimtare Kombëtare. Prandaj këtu është edhe vendi që unë përpara të gjithë udhëheqësve politik të këtij vendi, ti përkujtojë njerëzit gjumëmëdhenj të këtij vendi, edhe pse me një fjalim nuk mund të përfshihen të tërë. Përkujtoj Rafi Halilin e madh, i cili nuk u mposhtë për vite me radhë. Përkujtoj të pamposhturin Mehmet Gega që asnjëherë nuk e uli kurrizin para pushtuesve. Përkujtoj duke vazhduar me historinë më të re – me Arben Xhaferin, Imer Imerin, Abdyrrahman Alitin e Muharrem Nexhipin. Duke përkujtuar të gjithë gjeneratën që në vazhdimësi punoi pa u ndalë si në vend, ashtu edhe në mërgim – Fazli Veliun, Gëzim Ostrenin si drejtues i dy luftëtarëve, duke përfunduar me Nevzat Halilin, si udhëheqësi i një lëvizje të mbarë për shqiptarët e Maqedonisë”, tha Ahmeti, ndërsa i përshëndeti familjarët e dëshmorëve, invalidët e luftës, të pranishmit, si dhe liderët e partive politike që u bënë pjesë e Frontit Europian.

    “Kështu sjellim kujtime nga e kaluara, sepse më motivon pjesëmarrja e këtyre përfaqësuesve që sot jemi sup më supë bashkë për një proces të madh historik. S’ka si të mos e kujtoj takimin e parë me Arben Xhaferin, i cili atëkohë ndërmjetësonte. Kur hyra në takim, i thash: ‘konsidero se më ke një vëlla më të vogël’, ai mu përgjigj: ‘mos more burrë, mos mi luaj malet’. Kështu që, kështu të bashkuar, mos mendoni kurrën e kurrës se mua nuk do të më keni ballë në të gjitha përballjet, në të gjitha furtunat, sepse sot është momenti që të jemi bashkë, sepse rreziku nga Lindja po vjen. Po lëvizin trupa të tërë armatimesh deri në koka bërthamore. Ne na duhet uniteti për të qenë në ballë të të gjithë të tjerëve”, tha Ahmeti.

    Me mandate të forta që të themi PO Evropës dhe JO Rusisë, vijoi më tej kreu i BDI-së, sepse rilindësit tanë kombëtarë kanë thënë “Dielli për Shqiptarët lind në Perëndim”, dhe kjo porosi e Naim Frashërit na bënë që e kaluara të hidhet pas krahëve.

    “Sigurisht që kemi patur përballje politike, por asnjëherë nuk i kemi shndërruar ato në hasmëri. Ky bashkim sonte këtë e dëshmon, prandaj ju përfaqësues të të gjithë partive të Frontit, ju do të përballeni dhe do të jeni krenar se ne nuk turpërojmë, sepse misioni jonë është historik. Më 24 prill do të shënojmë fitoren më të madhe me Bujar Osmanin si presidenti, ndërsa më 8 maj fitoren historike me Frontin Evropian. Andaj, neve na duhet një fushatë e qetë, ne nuk dimë të bëjmë debat të pabazuar në shkencë. Ky Front, me bindje të madhe e them, është kapitali më i madh i shqiptarëve, sepse dimë të punojmë dhe realizojmë. Prandaj, do të kërkojmë mbështetjen e çdo shqiptari, turku, romi dhe çdo boshnjaku. Sepse, edhe romët do ta ndjejnë se si qeveriset si rom, boshnjaku i boshnjak e kështu të gjithë”, tha Ahmeti.

    Në ndërkohë, Ziadin Sela, foli me emocione në sallën e stërnbushur, ndërsa dërgoi mesazhe për të trasuar rrugën evropiane dhe rrugën e zhvillimit.

    “Të nderuar liderë të partive, ju që u bashkuat dhe u bashkuam në Frontin Evropian. Këto janë emocione të bukura. Kemi patur emocione të përgjegjësisë, të fitores dhe emocione për të arritur diçka edhe nga egoja. Por, emocioni i bashkimit për ti bërë bashkë shqiptarët në një udhëtim që është amanet gjyshërish, të gjeneratave që kanë vuajtur gjykime e maltretime, amanete rilindëse që na treguan se rruga jonë është Evropa dhe Perëndimi. Bashkimi është amanet edhe i Kongresit të Alfabetit, kur shqiptarët u bashkuan për një shqiptari drejt Evropës dhe SHBA-ve”, tha në fillim të fjalimit kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela pasi firmosi bashkimin me Frontin Europian të kryesuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

    Sela tha se bashkimi me BDI-në dhe Frontin Europian është për të trasuar rrugën evropiane dhe rrugën e zhvillimit.

    “Prandaj sonte ne jemi këtu, për ta trasuar këtë rrugë, për ta bërë më të shpejtë, për ta bërë rrugë dykahëshe, për rrugën edhe të vëllezërve tanë mërgimtarë që të vijnë në strofujt e gjyshërve dhe stërgjyshërve. Prandaj unë shoh shumë fytyra këtu prezente të miqve, por edhe të kundërshtarëve. Në disa raste, jemi bërë bashkë edhe në heshtje për të mirën e përgjithshme. Jemi bërë bashkë për shumë vendime për të mirën tonë dhe të aleatëve tanë ndërkombëtarë. Çdo herë kemi ditur ta gjejmë gjuhën e përbashkët”, ka thënë Sela, ndërsa i ka dërguar indirekt porosi bashkëpartiakëve të tij të rreshtuar pas opozitës shqiptare.

    “Partitë dhe organizimet politike nuk bëhen nga inati i dikujt, nuk bëhen sepse nuk e honeps dikë tjetër, por bëhen për dashurinë ndaj gjuhës, gjakut dhe kombit që ti e ke. Bëhet për gjeneratat e ardhme, për të ardhmen e fëmijëve tanë, nipave dhe stërnipave. Kjo është Fronti Europian. Dhe shqiptarët do të dinë të gjejnë bashkimin dhe jo si në të kaluarën kur jemi bërë bashkë kur kemi qenë vetëm në rrezik. Kësaj here ka një dallim – jemi bashkë për rreziqet që na vijnë nga Lindja dhe bashkë me të gjitha komunitetet, do të jemi për zhvillimin evropian, ekonomik dhe të mirëbesimit”, tha Sela, ndërsa ftoi për mbështetjen e Bujar Osmanit për president i shtetit.

    “Këtë do ta bëjmë me kandidatin për president, Bujar Osmani dhe do ta bëjmë në zgjedhjet parlamentare me Frontin Evropian, duke i dhënë një mesazh shumë të fortë atyre që duan nga organizime të mëdha politike ndërsa zgjedhin ta bëjnë me ‘partiçka të vogla’. Prandaj, të bashkuar për perspektivën e ardhshme, ne në Frontin Evropian na priftë e mbara në fitore”, tha Sela.

    “Sot jemi dëshmitarë në lindjen e Frontit Evropian si një kapitull i ri në krijimin e një familje evropiane. Sot jemi të bashkuar për një të ardhme më të mirë, qëndrojmë si dëshmi se çfarë mund të bëjmë kur i tejkalojmë dallimet dhe bëjmë punë për të mirën e përgjithshme. Kjo sallë e mbushur sonte është Deklarata më e fuqishme se, kur bëhemi bashkë, nuk ka qëllim që nuk mund ta arrijmë”, tha kandidati për Presidenti, Bujar Osmani pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ziadin Selës dhe Ali Ahmetit për koalicionim në Frontin Europian.

    Pas 23 viteve, tha Osmani, Marrëveshja e Ohrit që institucionalizoi dinjitetin e kombit tonë, sot po shndërrohet në Lëvizje politike multietnike që kërkon mandate për të udhëhequr shtetin, për të ndërtuar një frymë të drejtësisë dhe barazisë.

    “Sonte po festojmë ditëlindjen e Frontit Evropian dhe Fronti është besëlidhje e njerëzve të mirë, njerëzve që punon për një të ardhme të ndritshme. Bashkësitë e tjera etnike na kanë përzgjedhur neve – shqiptarët për të qenë gardian i së ardhmes së tyre. Na zgjodhën sepse besojnë në forcën tonë, në fjalën e dhënë, besojnë se kur Ali Ahmeti e thotë, ai edhe e bënë. Andaj, ky besim që na është dhënë neve – shqiptarëve, sa është respekt, është edhe obligim që të ardhmen ta sigurojmë për të gjithë. Kjo sonte është revolucion, është mesazh se diversiteti është forca jonë”, tha Osmani, ndërsa përmendi edhe sfidat që sollën deri në koalicionin e gjerë Fronti Evropian.

    “Para se të shkelim pragun e sontëm, mos të harrojmë sfidat që na sollën këtu. Sfida na kanë vënë në sprovë unitetin, përkushtimin tonë, dhe na kanë nxjerrë më të bashkuar dhe më të fortë dhe na nxorën vizionin e një shteti që përfaqëson barazi dhe drejtësi, shtet që nxit bashkëjetesën politike dhe sociale, një shtet që integrohen në Bashkimin Evropian”, u shpreh Osmani, ndërsa bëri thirrje për fushatë të qetë dhe kërkoi mbështetjen e qytetarëve.

    “Për disa ditë fillon fushata, do dëgjoni shumë premtime, por ju e dini se vetëm oferta jonë është bindëse, sepse çdo projekt i madh që është realizuar, mban vulën e BDI-së, vulën tonë. Andaj, nuk ka asnjë dyshim të vogël se ne bashkë, siç e bëmë kryeministrin e parë shqiptarë, ashtu do ta bëjmë edhe Presidentin e parë shqiptarë. Si kandidat për president, kërkoj mbështetjen, votën dhe energjinë tuaj sepse vetëm bashkë mund të ndërtojmë një të ardhme për drejtësi dhe begati, një të ardhme të suksesshme për fëmijët tanë. Ju kërkoj me përulësi që të bëhemi bashkë e të ecim bashkë dhe të bëjmë histori jo vetëm për ne, por për brezat që do të vijnë”, tha kandidati për President, Bujar Osmani sonte nga Gostivari, ndërsa përshëndeti liderët e partive që janë pjesë e Frontit Europian.