30/12/2024
Lajme Shqipëri

Sot 16 vite nga TRAGJEDIA E GËRDECIT!

    Më 15 mars të vitit 2008 Tirana do të lëkundej nga një shpërthim i fuqishëm i ndodhur vetëm pak kilometra larg, në fshatin e quajtur Gërdec.

    Një magazinë e kthyer në “fabrikë” për demontimin e armëve shpërtheu duke u marrë jetën të paktën 26 personave, ndërsa qindra të tjerë mbeten të plagosur. Shumë shtëpi u shkatërruan totalisht dhe shpërthimi krijoi një krater të madh.

    Sot, 16 vite pas ngjarjes askush nuk është dënuar për jetët e marra. Kryeministri i kohës, Sali Berisha do të deklaronte se përpara shpërthimit nuk e dinte se ekzistonte një fshat i quajtur Gërdec. Një javë pas tragjedisë, ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu dha dorëheqjen.

    Ky shpërthim i mori jetën 26 njerëzve të pafajshëm, mes të cilëve gra dhe fëmijë të mitur, ndërkohë u plagosën mbi 300 të tjerë.

    Opozita e aso kohe akuzoi ashpër qeverinë e Berishës për tragjedinë dhe përfshirjen në një rrjet të madh trafikimi armësh. Prestigjozja amerikane “New York Times” publikoi disa shkrime për ngjarjen, duke hedhur dyshime mbi përfshirjen e zyrtarëve të lartë në këtë aferë.

    Berisha e konsideroi gazetën amerikane si “letër higjenike”. PS dhe LSI zhvilluan disa protesta, ndërsa premtonin zbardhjen e ngjarjes pasi të vinin në pushtet. Një vit më vonë LSI hyri në koalicion me PD-në e Berishës dhe në 4 vitet e qeverisjes së tyre çështja nuk njohu asnjë rezultat pozitiv.

    Në vitin 2013, PS dhe LSI fituan zgjedhjet edhe me premtimin se do të zbardhnin dy ngjarje të rënda të qeverisë së Berishës, “Gërdecin” dhe “21 janarin”. Megjithatë, deri tani asnjëra nga ngjarjet nuk ka marrë drejtësinë e merituar.

    Ndonëse kanë kaluar 16 vite familjarët e viktimave ende kanë shpresë se drejtësia e re, se SPAK do të çojë pas hekurave përgjegjësit e kësaj tragjedie.

    SPAK ka hapur çështjen dhe ka nisur hetimet për akuza të rënda “Korrupsion i zyrtarëve të lartë” dhe “pastrim parash”. Një sërë provash bëjnë përgjegjës  Fatmir Mediun, i cili aso kohe ishte ministër i Mbrotjtjes.

    Prokuroria Speciale dërgoi në gjyq të ish-ministrin i cili akuzohet për dy akuza të lidhura me “Shpërdorimin e detyrës” kryer në bashkëpunim.

    Vepra e parë penale për të cilën ish-ministri i Mbrojtjes akuzohet, është ajo “Shpërdorimi i detyrës”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal, si dhe për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues, parashikuar në nenet 70/2 e 2 të Kodit Penal Ushtarak dhe neni 25 i Kodit Penal.

    Ndërkohë,  janë marrë i biri i Sali Berishës, Shkëlzen Berisha si dhe ish ministrin Aldo Bumçi.