Mbi 160 pronarë shtëpish e dyqanesh nga Tetova që pësuam dëme të mëdha gjatë vërshimeve të para dy viteve, vazhdojnë edhe më tej të presin dëmshpërblimin nga Qeveria dhe komuna e Tetovës. Një ndër to është edhe Pajazit Kovaçi, i cili në punëtorinë e tij pati rreth 35.000 euro dëm.
“Deri më tani asgjë s`është paguar as nga shteti as nga komuna asgjë. Në biznes na dëmtoi afër 35.000 euro, u dëmtua komora makineria e gjitha, erdhi komisioni, policia por asgjë. Na ka dëmtu tepër por i kemi riparu vetë, po ka pas mjete edhe që s`janë rregullua. Tani disa i kemi vendos në funksion por me financat tona”, deklaroi Pajazit Kovaçi, banor.
Nga komuna e Tetovës thonë se dëmshpërblimi i banorëve duhet të bëhet nga Qeveria, të cilës, i është dërguar dokumentacioni.
“Dokumentacionin nga terreni e kemi të gjithin gati dhe nëse Qeveria ka ndryshuar qëndrimin lidhur më këtë procedurë është dashur të na informoj si pushtet lokal, dhe t`i lëshoj mjetet e parapara. Fjala është për mbi 150 objekte të dëmtuara, shumë e dëmit, arrin në katër milion denarë. Vlen të theksojmë se sa iu përket obligimeve të komunës së Tetovës një pjesë është kryer dhe shpejt do filloj kryerja e obligimeve të mbetura”, u shpreh Besarta Ramadani, zëdhënëse e komunës së Tetovës.
Derisa banorët presim dëmshpërblimin, Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova”, tashmë ka nisur masat preventive kundër vërshimeve eventuale.
“Apeloj banorët që kanë mbetje të forta për të hedh le të na kontaktojnë në numrat e ndërmarrjes dhe do ua kryejmë si shërbim, do shkojmë deri tek shtëpia do i marrim mbetjet që të mos i hedhin në lum, sepse dëmet nga hedhja në lum janë shumë më të mëdha”, deklaroi Samet Bislimi, drejtor i NPK “Tetova” Tetovë.
Dy vite më parë, Tetova u përfshi nga vërshimet në maj në korrik, me ç’rast u dëmtuan 130 shtëpi dhe 37 lokale afariste. Dëmi i llogaritur nga komisioni komunal arrin në mbi katër milion euro.