Një ngjarje e pazakontë është regjistruar në qendër të Pejës, ku një shtetas duke u hequr si efektiv policie i është afruar një çifti të cilët po qëndronin në parkun e qytetit.
Sipas asaj që mediat vendase raportojnë ai fillimisht iu prezantua me një dokument fals të Policisë së Kosovës dhe më pas iu drejtua atyre duke i thënë se nuk lejohen marrëdhëniet seksuale në publik. Për këtë arsye ky shtetas, në prezencën e çiftit, u hoq sikur mori në telefon rajonin e Policisë që t’i shoqëronte dy të rinjtë, ose duhet t’i jepnin 300 euro.
Por, historia vazhdon dhe bëhet akoma dhe më afër skenarit të një filmi. “Insajder” raporton se çifti nuk kishin shumën që “polici” i kishte kërkuar dhe për këtë arsye i ofruan vetëm 50 euro, ndërsa pjesën tjetër do ja jepnin më vonë.
Pas marrjes së parave, i dyshuari ka kërkuar nga vajza që të shkojë tek stacioni i autobusëve, ndërsa të riun e detyroi që të shkonte në një banesë në qendër të Pejës nën arsyetimin “për ta ndryshuar aktin në polici”.
Por, sipas asaj që mediat vendase bëjnë me dije ky shtetas i kishte kërkuar të riut që të “mastrubojë”, nën arsyetimin se duhet marrë mostrat për ta verifikuar se çfarë akti ka bërë me të dashurën e tij. Madje, ai e ka kërcënuar se në rast se tregon për këtë ngjarje ai do të njoftonte familjarët e dy të rinjve.
Pas kësaj ngjarje i riu shkoi në Komisariatin e Policisë ku dhe denoncoi këtë shtetas. Nga hetimet e zhvilluara rezultoi se ky shtetas nuk është efektiv policisë dhe aktualisht ndodhet në pranga.