22/12/2024
Shqipëri

Shqipëria bashkohet me Serbinë, futen në garë për të pritur finalet e Euro 2027 për 21-vjeçarët

    Federata Shqiptare e Futbollit dhe ajo e Serbisë janë bërë bashkë dhe kanë dorëzuar në UEFA kërkesën e përbashkët për të organizuar finalet e Euro 2027 për moshat U-21.

    Ky bashkëpunim vjen për shkak se nuk plotësohen kushtet sa i përket numrit të stadiumeve që kërkohen në mënyrë  që vendi ynë të presë të gjitha ndeshjet finale të Kampionatit Europian U-21.

    Lajmin e ka konfirmuar edhe kreu i FSHF-së, Armando Duka gjatë një bisede me gazetarin Blendi Fevziu. Ai tha se duhen tetë stadiume dhe në mungesë të tyre është bërë një lëvizje e tillë, me sportin që bashkon popuj.

    “Në 2027 ne jemi vend kandidat për të organizuar Kampionatin Evropian për U-21. Duke qenë se ne nuk plotësojmë kushtet për të organizuar një kampionat vetëm në Shqipëri, pasi duhen tetë stadiume minimalisht, ne jemi bashkuar me Serbinë në një kandidaturë për të organizuar një kampionat në Shqipëri dhe Serbi. Mendoj se kjo është një lajm i mirë për futbollin shqiptar dhe për futbollin serb, për popullin shqiptar, për popullin serb. Në fund të fundit ne organizojmë dhe nëpërmjet sportit, pse jo të kemi një jetë më të mirë”, tha Duka.

    Ende nuk ka një vendim zyrtar nga UEFA për fituesin që do organizojë Euro 2027 për U-21, teksa duhet një bashkëpunim mes qeverive dhe organeve homologe të futbollit që gjithçka të shkojë si duhet.

    Ky projekt ambicioz do ta vendoste Shqipërinë në qendër të vëmendjes futbollistike të gjithë kontinentit, teksa më herët në Shqipëri është mbajtur edhe finalja e parë e UEFA Conference League në Tiranë në vitin 2022, si dhe është fituar e drejta për të organizuar finalet e Kampionatit Europian 2025 për grupmoshën U-17.