07/09/2024
Kosovë

Shkatërrohet grupi famëkeq i Telegramit “Albkings”, arrestohen të gjithë anëtarët, mes tyre edhe një vajzë

    Prokuroria Themelore e Prishtinës ka njoftuar se ka shkatërruar grupin famëkeq “Albkings”, që operonte në rrjetin social Telegram duke shantazhuar vajzat nga Shqipëria dhe Kosova me foto dhe video intime.

    Në një konferencë për media, të dhënë ditën e sotme, kryeprokurori i Zejnullah Gashi tha se janë arrestuar të gjithë anëtarët e këtij grupi i cili përbëhej nga 7 persona, ndërsa mësohet se mes tyre është edhe një vajzë në rolin e administratores së grupit kriminal.

    Gjithashtu, kryeprokurori Gashi kërkoi që të mos bënin pyetje të detajuara rreth grupit, pasi çështja e “Albkings” është akoma në proces hetimesh dhe detajet e shtuara mund të cenojnë konfidencialitetin dhe integritetin e tyre, teksa shtoi se mund të ndalohen edhe persona të tjerë të dyshuar si bashkëpunëtorë të kësaj veprimtarie kriminale.

    Lidhur me rastin “Albkings”, ju njoftoj se Prokuroria në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka arritur me sukses të gjurmojë, zbulojë dhe të arrestojë të gjithë kryesit të veprave penale të vjedhjes së indentiteti dhe kredencialeve.

    Marrë parasysh se jemi duke hetuar ende, kërkojmë që të kurseheni sa i përket pyetjeve, pasi që mund të cenojmë konfidencialitetin dhe integritetin e hetimeve. Ka gjasa që të zgjerohen hetimet edhe sa i përket personave që do të ndiqen edhe sa i përket veprave penale që do të ndiqen.

    Sot i kemi gjithsej 7 personave që i kemi në ndalim dhe jemi në fazën tjetër të zgjerimit të hetimeve edhe për personat tjerë”,- ka deklaruar kryeprokurori, Zejnullah Gashi.

    Ndërkohë, prokurorja e rastit, Elza Bajrami-Kastrati, bëri me dije se grupi është mbyllur përfundimisht, dhe pritet që të vendosen masat penale ndaj të dyshuarve kryesorë.

    Kemi arritur që kërtë grup ta mbyllim përfundimisht. Kemi arritur t’i arrestojmë shtatë persona që dyshohet se janë përfshirë në këtë rast.

    Me datën 16 Prill 2024 është lëshuar aktvendim mbi ndalimin e të pandehurit E.N njëri prej administratorëve të këtij grupi, me datën 23 Prill 2024 është ndaluar personi i dytë i dyshuar mbi këtë rast i gjinisë femërore me inicialet E.S, me datën 23 Maj 2024 është arrestuar administratori kryesor dhe krijuesit të grupit me inicialet F.P”,– është shprehur prokurorja, Elza Bajrami-Kastrati gjatë konferencës.

    Kujtojmë se grupi “Albkings” operonte në rrjetin social Telegram, ku shpërndaheshin video dhe foto intime të vajzave dhe grave shqiptare në Kosovë dhe Shqipëri. Autoritetet kosovare arrestuan pak kohë më parë administratorin e këtij grupi, i identifikuar si Edvin Nezati, ndërsa janë arrestuar edhe anëtarët e tjerë të tij.

    Policia e Kosovës në bashkëpunim me Krimin Kibernetik në Tiranë filluan hetimet pas ngritjes së shqetësimit nga përdorues të ndryshëm për cenim të të dhënave personale dhe shantazhim nëpërmjet fotove personale.