23/12/2024
Maqedoni

Sela flet hapur për Kurtin: Kam zhgënjim, e përkraha hapur, ndoshta kam gabuar

    Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, në “Pressing” të T7 foli për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

    Sela deklaroi se ka momente të zhgënjime me Kurtin.

    “Nëse unë them që nuk ka pasur dorë, vetë fakti që rreshtoheshin cdo ditë dhe bënin fotografi me kryeministrin e Kosovës flet që është anim realisht. Unë kam vlerësuar që është sjellje e gabuar dhe jokorrekte, reciproke. Megjithëse unë do të kem kujdes sepse kur flas për Albinin flas për kryeministrin e Kosovës dhe nuk kam pse të bëhem pjesë e debatit politik që zhvillohet në Kosovë. A i kam unë momentet e mia të zhgënjimit me Albinin, natyrisht që i kam”, tha Sela në “Pressing”.

    Sela tha se ka “shkelur parimet” e tij dhe i ka “dhënë përkrahje” Kurtit.

    “Ndoshta e kam pasur gabim”, shtoi ai.

    Sela tha se VV kur ishte në opozitë kishte orientim anti institucione.

    “Vetëvendosja kur ishte në opozitë kishte një orientim anti institucioneve që shprehej. Cdo protestë e Vetëvendosjes rezultohej me një sulm të institucioneve. Kur ndodh ndryshimi dhe bëhesh pjesë e Qeverisë edhe ky aktivisti i VV’së e ka kuptuar që të qeverisësh duhet të bëhesh edhe kompromise, siç i ka bërë edhe Albini dhe kjo sjellë një paqe dhe stabilitet në sjelljen politike të militantëve partiakë brenda një shoqërie”, tha ai.

    Ai tha se “Kosovën don ta sheh mirë e më mirë”, derisa shtoi se Kurti është munduar të ndikojë në Maqedoni por u pa rezultati.

    “Mendoj që Albini është munduar të ndikojë në Maqedoni por u pa rezultati se cili ishte dhe nëse është e vërtetë që e ka vërejt efektin negativ që është krijuar në raport me krijimin e një VMRO të fuqishme dhe është tërheqë, i jap të drejtë që edhe ai të gabojë sic kam të drejtë edhe unë të gabojë”, tha Sela.