22/12/2024
Lajme Shqipëri

Projektet në Shqipëri e Serbi, flet dhëndri i Trumpit: Kam ndjekur ligjet, në Sazan uji është kristal si Maldivet

    Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit Donald Trump dhe një nga figurat më të shquara në politikën amerikane, i ka vënë syrin Ballkanit dhe po planifikon tre projekte transformuese në Shqipëri e Serbi.

    Përpjekja e Kushnerit, shkruan The New York Post, në këtë rajon vjen teksa firma e tij e kapitaleve private me bazë në Miami, Affinity Partners, angazhohet në diskutime të avancuara për investime që tejkalojnë 1 miliard dollarë, me shpresën për të riformuar peizazhin e turizmit dhe pasurive të paluajtshme në Evropën Juglindore.

    Ndër projektet ambicioze është shndërrimi i ishullit të Sazanit të Shqipërisë, dikur një bastion ushtarak, në një komunitet luksoz eko-resort.

    “Aftësia për të zhvilluar 3 milje vijë bregdetare të bukur dhe një ishull 1400 hektarësh në mes të zemrës së Mesdheut është unike,” tha Kushner për The New York Post. “Uji është blu kristal si Maldivet. Eshtë i bukur. Plazhet janë të pabesueshme dhe ky është vetëm një nga këto vende të veçanta.”, shtoi ai.

    Projekti per Sazanin
    Projekti per Sazanin

    Bashkë me miqtë e tij, Ric Grenell, ish-ambasadorin e SHBA-së në Gjermani dhe zhvilluesin e NYC, Asher Abehsera, Kushner është tërhequr nga sektori i turizmit në Shqipëri, i nxitur nga zhvillimi i shpejtë turizmit dhe vlerësimet e ndërkombëtarëve. Veçanërisht, Ksamili i Shqipërisë renditet ndër destinacionet kryesore globale në Airbnb, duke reflektuar daljen e vendit nga e kaluara e tij komuniste për t’u bërë një pikë e nxehtë për turistët të cilët kërkojnë bukuri të virgjëra dhe të paprekura.

    Dikur e quajtur “Koreja e Veriut e Evropës”, Shqipëria ka pësuar një evolucion dhe tani krenohet me stabilitetin makroekonomik, një industri turistike në rritje dhe një tërheqje në rritje për investitorët ndërkombëtarë.

    Të dhënat nga UNWTO (Organizata Botërore e Turizmit të Kombeve të Bashkuara) nënvizojnë ngjitjen e Shqipërisë si destinacioni turistik me rritjen më të shpejtë në Evropë, duke e pozicionuar atë përkrah Katarit dhe Arabisë Saudite.

    Joshja nga Ballkani shtrihet përtej Shqipërisë, pasi Affinity synon një tjetër sipërmarrje në kryeqytetin e Serbisë, Beograd. Këtu, Kushner planifikon të rivitalizojë një zonë historike të mbetur bosh që nga bombardimet e NATO-s në 1999, duke parashikuar një hotel luksoz, hapësira tregtare dhe mbi 1500 rezidenca. Dhe nuk është e vështirë të kuptosh pse Kushner do të donte një copë nga ai byrek.

    Një histori e New York Times iu referua Beogradit si “kryeqytetin e ri të koktejit të Evropës”.

    “Ekziston edhe rëndësia historike e ndërtesës,” tha Kushner. “Transformimi i saj nga një moment pikëllimi, në një pikë referimi që do të krijojë vende pune dhe të ardhura për qytetin është diçka emocionuese për t’u përfshirë.”

    Një përshkrim i vendndodhjes në Beograd që pritet të kthehet në një hotel luksoz
    Një përshkrim i vendndodhjes në Beograd që pritet të kthehet në një hotel luksoz

    Sipërmarrjet e Kushnerit përputhen me transformimin më të gjerë ekonomik të rajonit. Por nuk ka të bëjë vetëm me joshjen nga plazhet me rërë dhe ujëra të kaltra. Teksa Affinity po ndërmerr këto nisma të guximshme, Kushner është i vetëdijshëm për potencialin e tyre për të katalizuar zhvillimin e mëtejshëm në rajon, duke lindur ndoshta një vatër tjetër të turizmit dhe investimeve.

    “Nuk do të jetë sekret për shumë gjatë”, tha Kushner.

    Një draft i marrëveshjes i dhënë për The Times zbuloi se qeveria serbe do t’i jepte Kushnerit një qira 99-vjeçare pa pagesë dhe akses për të ndërtuar një hotel luksoz, një kompleks apartamentesh dhe një muze në vendin historik.

    Por vendimi i Kushnerit për t’u zhvilluar në Beograd nuk erdhi saktësisht nga hiçi. Në vitin 2013, dy vite para se Trump të kandidonte për President i tha një zyrtari të lartë të qeverisë serbe për vizionin e tij për të ndërtuar një hotel luksoz në vend.

    Përfaqësuesit nga Organizata Trump udhëtuan në Beograd për të vlerësuar vendin. Megjithatë, projekti dështoi të materializohej përpara zgjedhjes së Trump në 2016. Pas betimit të tij si President. Trump vendosi që të mos lejonte fillimin e ndonjë biznesi të ri ndërkombëtar.

    Projekti per ne Beograd
    Projekti per ne Beograd

    Pas largimit të tij nga qeveria, Kushner themeloi Affinity, një firmë e kapitalit privat që ka grumbulluar asete prej 3.1 miliardë dollarësh.

    Firma siguroi mbështetje të konsiderueshme nga investitorët e mbështetur nga shteti i Lindjes së Mesme, veçanërisht duke marrë rreth 2 miliardë dollarë nga Fondi i Investimeve Publike të Arabisë Saudite. Firma siguroi mbështetje të konsiderueshme nga investitorët e Lindjes së Mesme, veçanërisht duke marrë rreth 2 miliardë dollarë nga Fondi i Investimeve Publike të Arabisë Saudite. Megjithëse investimi i madh ka mërzitur disa, Kushner mbrojti financimin gjatë një samiti në Majami të sponsorizuar nga kompania mediatike Axios muajin e kaluar duke thënë se ai “ka ndjekur çdo ligj dhe rregull”.

    “Nëse më pyesni për punën që kemi bërë në Shtëpinë e Bardhë, për kritikët e mi, ajo që them është se çdo vendim që morëm që ishte në interes të Amerikës”, tha Kushner. Për më tepër, Affinity po eksploron mundësi për investime në sektorë të tillë si energjia e rinovueshme, qendrat e të dhënave dhe inteligjenca artificiale./ The New York Post