19/10/2024
Shqipëri

Po bënte gati hotelin për sezonin dhe e zuri korenti, vdes në spital pronari

    Pronari i hotelit Hildon Eco, Aldo Metani ka ndërruar jetë në spital pasi ra në kontakt me energjinë elektrike. Incidenti ndodhi rreth pasdites së sotme brenda ambientit që i ndjeri kishte në pronësi.

    Sakaq, në gjendje të rëndë ndodhen dy punonjësit e tij, të cilët po punonin bashkë me 40-vjeçarin për rregullimin e ndiçimit të hotelit, por aksidentalisht ranë në kontakt me energjinë elektrike.

    Menjëherë pas ngjarjes, të tre shtetasve iu dha ndihmë mjekësore, por pronari i hotelit nuk ka mundur të fitojë luftën për jetën. Sakaq, dy punonjësit e dëmtuar do të transportohen për ndihmë të specializuar në Tiranë.

    “Në vijim të informacionit paraprak të dhënë, për tre shtetasit të cilët ranë në kontakt me energjinë elektrike në ambientet e jashtme të një hoteli në Dhërmi, ju informojmë se shtetasi A. M., rreth 40 vjeç, pronari i hotelit, ka ndërruar jetë për shkak të dëmtimeve, ndërsa dy punonjësit e dëmtuar do të transportohen për ndihmë mjekësore të specializuar në Tiranë,” njofton policia.

    Sakaq, grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.