23/12/2024
Maqedoni

Pendarovski hoqi dorë nga pensioni shtetëror

    Ish-presidenti Stevo Pendarovski heq dorë nga e drejta e përfitimit të pensionit shtetëror dhe vendos t’i rikthehet karrierës së tij akademike. Ekipi i tij konfirmoi se tashmë Pendarovski i është rikthyer karrierës akademike si profesor në Universitetin “American College” në Shkup dhe se nuk do ta shfrytëzojë pensionin shtetëror që i takon me ligj. Pavarësisht kësaj, zyrtarët e Ministrisë së Brendshme potencuan se do të vazhdojnë të sigurojnë ish-presidentin në përputhje me vlerësimet e sigurisë që po bëjnë. Ku sipas njoftimeve të tyre, Pendarovski do të shfrytëzojë edhe një zyrë me tre punonjës nga ish-kabineti i tij për takime me ish-shtetarë dhe aktualë, si dhe për pjesëmarrje në konferenca ndërkombëtare.


    Ministria e Punëve të Brendshme

    “Lidhur me përkrahjen administrative dhe logjistike që i nevojitet për takime me ish-shtetarë dhe aktualë, si dhe për pjesëmarrje në konferenca ndërkombëtare, presidenti Pendarovski kërkoi nga institucionet shtetërore që herë pas here të shfrytëzojnë ndonjë zyrë, por pasi që një praktikë e tillë dhe baza ligjore nuk ekziston, Pendarovski në të ardhmen do ta shfrytëzojë të drejtën për hapjen e një zyre, ku tre nga punonjësit aktualë të kabinetit do të angazhohen në mbështetje të atyre aktiviteteve të ish-presidentit”.

    Sipas Ligjit për të drejtat e presidentit dhe familjes së tij, Pendarovski ka të drejtë në pension të barabartë me pagën e marrë nga kreu i shtetit, në zyrë me deri në tre bashkëpunëtorë profesional, sigurim personal, si dhe të drejtën e përdorimit të mjetit zyrtar dhe drejtuesit në përputhje me rregulloret e nxjerra nga Ministri i Brendshëm. Ndërsa, MPB lë të ditur se Të drejtat që dalin nga posti më i lartë shtetëror i shfrytëzojnë ish-presidentët Branko Cërvenkovski dhe Gjorge Ivanov.