22/12/2024
Botë

PAMJE TË RËNDA/ Kriminelët i zënë pritë furgonit të burgut, vriten tre policë, arratiset i burgosuri i rrezikshëm

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të martë në Francë. Sipas mediave të huaja mësohet se ngjarja ka ndodhur në Yves të Normandisë, në Francën veriore, ku persona të armatosur i bënë pritë furgonit me të cilin po transportoheshin të burgosurit.

    Këta persona hapën zjarr mbi furgonin e Policisë dhe si pasojë gjetën vdekjen tre oficerë burgu. Qëllimi i kësaj prite ishte arratisja e një prej të burgosurve më të rrezikshëm, Mohamet A, i njohur me noflën “The Fly”, i akuzuar për një sërë vjedhjesh dhe vrasje.

    “The Fly” arriti të largohej së bashku me autorët me mjetin e këtyre të fundit. Ndërkohë referuar mediave franceze mësohet se përveç tre efektivëve të vrarë, tre të tjerë kanë mbetur të plagosur dhe ndodhen në gjendje të rëndë.

    Në një deklaratë urgjente ministri i Brendshëm, Zherald Darmanë, bëri me dije se 200 efektivë janë në vendin e ngjarjes dhe kanë futur në shtetrrethim të gjithë zonën dhe po bëhen të gjitha përpjekjet për gjetjen e kriminelëve.

    Ndërkohë, sipas një burimi tjetër policor, sulmi u krye nga një grup kriminelësh të cilët në momentin e ngjarjes përdorën dy automjete. Një nga ato automjete u gjet i djegur menjëherë pas sulmit, në një vend i cili deri më tani nuk është bërë me dije për mediat.

    Sipas të njëjtave burime mësohet se kriminelët arritën të arratisen, ndërkohë njëri prej tyre ka mbetur i plagosur. Njëkohësisht janë bërë të ditura detaje tragjike për dy nga tre efektivët që mbetën të vrarë. Njëri ishte 52-vjeç dhe ishte babai i dy fëmijëve, ndërsa gruaja e efektivit tjetër, 35-vjeç ishte pesë muajshme shtatzënë.

    Në rrjet janë publikuar edhe pamjet e tmerrshme ku kriminelët të maskuar shihen teksa kanë hapur zjarr drejt policisë.