Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pritet që këtë të hënë të përballen në Këshillin e Sigurimit në OKB.
Sot, do të mbahet seanca e radhës për Kosovën në orën 16:00, sipas orës së vendit tonë, ndërsa me orën e New York përkon në 10:00. Presidenca e Kosovës ka njoftuar edhe pikat për të cilat Osmani do të flasë në KS.
“Në seancën e KS të OKB-së, Presidentja Osmani pritet të flasë për progresin, zbatimin e reformave, të drejtat e njeriut, demokracinë, sundimin e ligjit si dhe fusha të tjera me rëndësi për Kosovën. Presidentja po ashtu do të flasë për domosdoshmërinë për drejtësi për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Kjo përballje mes kryeministrave të dy vendeve vjen një ditë pasi në veri të Kosovës dështoi referendumi për 4 kryetarëve, për shkak të bojkotit masiv të serbëve.
Ditën e djeshme Vjosa Osmani e konsideroi si fatkeqësi bojkotimin e procesit të votimit nga serbët lokalë në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, dhe sipas saj, kështu “Serbia kreu ndërhyrje të paligjshme në një proces zgjedhor të një shteti tjetër”.
“Edhe njëherë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiçi shkeli fjalën që ua kishte dhënë partnerëve ndërkombëtarë”, tha Osmani dje.