Mjeku Ilir Alimehmeti, ka folur pasditen e sotme mbi situatën e shëndetësisë në vend.
I ftuar në Syri Tv, Alimehmeti u shpreh se shumë qytetarë nuk po marrin shërbimin e duhur shëndetësor për shkak të ikjes masive të infermierëve jashtë vendit.
Ndër të tjera, Alimehmeti u shpreh se qytetarët paguajnë nga xhepat e tyre më shumë se çdo qytetar tjetër në Europë, për shëndetësinë, pasi shteti në buxhetin e tij, paguan më pak për shëndetësinë.
“Hidhen pak para dhe ato që hidhen keqmenaxhohen dhe çfarë ndodh, ose qytetarët lihen në mëshirë të fatit, ose faji hidhet mbi personelin mjekësor, ndërkohë që buxheti për shëndetësinë është 2.8 % ku përfshihen edhe koncensionet”, tha Alimehmeti.
Ai theksoi se po ikin mjekë e infermierë me mijëra dhe ajo që po vemë re sot është se shumë zona po shpopullohen edhe për faktin se nuk marrin dot shërbim shëndetësor.
Po të shihni shkaqet e humbjes së jetës së shqiptarëve, 20.3 % ose 4468 humbje jete, sipas raportit të INSTAT, thuhet “simptoma të papërcaktuara mirë”. Pra 1 në 5 shqiptarë humb jetën pa përcaktuar shkakun”, tha Alimehmeti.
Ai tha se minimum shpenzimi për shëndetësinë duhet të shkojë 7 % dhe ky buxhet të mos keqmenaxhohet, sepse ajo që vihet re është se sa më i madh të jetë buxheti as më shumë keqmenaxhohen paratë.
“Në gusht të 2021 raportohej se 37 % e qendrave shëndetësore nuk kanë ujë, tualete apo nuk kanë standardin 1 pacient për shtat. Këto janë të dhëna zyrtare dhe është e turpshme që të diskutohet ngritja e komisioneve hetimore, ndërkohë që duhej të ishin zhvilluar tryeza me njerëz të ndershëm e profesionistë dhe të diskutohej mbi shëndetësinë, pasi është një fushë që kalon mandatin e një qeverie.”, tha Alimehmeti.