Një 17-vjeçar shqiptar në Spartë të Greqisë ka përjetuar momente të paimagjinueshme tmerri, pasi është rrëmbyer nga të afërmit e të dashurës greke dhe më pas është torturuar për gati tre orë.
Nisur nga deklarata që ka dhënë babai i 17 vjeçarit për mediat greke, djali i tij është torturuar për shkak të një marrëdhënie dashurie që ai kishte krijuar me njërën nga shoqet e klasës. Sipas të atit, prindërit e vajzës nuk e kanë miratuar marrëdhënien që dy fëmijët kishin krijuar për shkak të origjinës së tij shqiptare.
Mësohet se para rrëmbimit, 17-vjeçari ka marrë një telefonatë nga vëllai i vajzës dhe ka shkuar për ta takuar. Aty ai është sulmuar ashpër nga dy persona, të cilët më pas e kanë marrë dhe e kanë futur në bagazhin e një makine.
Sipas asaj që thotë babai i të miturit, rrëmbyesit kanë ndaluar në rrugën Areopolis, ku e kanë rrahur sërish dhe pastaj e kanë dërguar në shtëpinë e vëllait të vajzës.
Në këtë vend, për të riun shqiptar ka filluar një raund i ri torturash si nga vëllai i vajzës ashtu edhe nga prindërit e saj. Ato janë treguar të pamëshirshëm ndaj 17-vjeçarit, pasi e kanë goditur me mjete të forta, teksa pretendohet se e ëma e vajzës i ka prerë edhe fytyrën.
Avokati i të riut, shprehet se ai ka humbur dëgjimin në veshin e majtë si pasojë e goditjeve të forta nga torturat që i janë bërë, ndërsa nuk dihet nëse do të shërohet.
Torturat ndaj 17-vjeçarit kanë zgjatur për të paktën tre orë dhe më pas dhunuesit e kanë lënë në një pikë, ndërkohë që kanë lajmëruar nënën e tij për ta gjetur. I riu është dërguar në spital, ku është shtruar prej disa ditësh, ndërsa ai ndodhet në gjendje të rënduar psikologjike.
Sipas njoftimit, babai i vajzës, i cili disa vite më parë kishte vrarë nënën e tij në Dyros, është arrestuar së bashku me djalin e tij dhe një person tjetër për rrëmbimin dhe torturimin e 17-vjeçarit, ndërsa nëna e vajzës, e cila akuzohet për rrahjen brutale është shpallur në kërkim.