Pas më shumë se pesë muaj të kaluara në paraburgim ekstradues në Turqi, mbrëmë është kthyer në vend Lupço Palevski Pallço, i dyshuari kryesor për vrasjen e 14-vjeçares Vanja Gjorçevska më 27 nëntor të vitit 2023 dhe pensionistit Pançe Zhezhovski.
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e konfirmoi procesin e ekstradimit të Palesvskit, duke theksuar se nëpunës policor nga Sektori për bashkëpunim ndërkombëtar policor të MPB-së në bashkëpunim me policinë turke kanë përfunduar procesin e ekstradimit nga Republika e Turqisë të Lupço Palevskit (59) nga Shkupi për të cilin është lëshuar fletëarrest ndërkombëtar për hetim të veprave penale “rrëmbim” dhe “vrasje” në bazë të urdhrit nr. 3047/23 të lëshuar nga Prokuroria Themelore Publike -Shkup.
Për bashkëpunim në vrasje akuzohen edhe Velibor Manev, Vllatko Keshishov dhe Bore Videvski të cilët janë në paraburgim në Shkup. Në paraburgim gjenden edhe babai i Vanjës, Aleksandar Gjorçevski i cili dyshohet se ka ndihmuar në rrëmbimin e 14-vjeçares.
Me masa kujdesi për këtë rast është edhe Stefan Dimovski, shoferi i të dyshuarit të parë për vrasjen e dyfishtë të Vanjës dhe Pançes i cili dyshohet se ka ndihmuar në arratisjen.
Ministria e Drejtësisë ka shprehur mirënjohje deri te autoritetet turke për marrjen e të gjitha masave të nevojshme për ekstradimin e Lupço Palevskit-Pallço i cili sonte u transferua nga Turqia në vend dhe është dërguar në burgun e Shutkës.
“Ministria e Drejtësisë dhe ministri Krenar Lloga, shprehin mirënjohje për autoritetet turke, veçanërisht për ministrin e Drejtësisë së Republikës së Turqisë, Jilmaz Tunç për reagimin e shpejtë të tyre dhe marrjen e të gjitha masave për ekstradimin e Lupço Palevskit. E gjithë procedura u realizua në një periudhë relativisht të shkurtër prej më pak se pesë muaj. Kjo është një shenjë e mirë për shoqërinë dhe një porosi që drejtësia do t’ju arrijë kudo që të jeni!”, qëndron në postimin e Ministrisë së Drejtësisë në Fejsbuk.