22/12/2024
Botë

Mori tre plumba në trup, si është gjendja e kryeministrit sllovak?

    Është stabilizuar gjendja shëndetësore e kryeministrit të Sllovakisë, Robert Fico të cilit iu bë atentat një ditë më parë, teksa mori 3 plumba në trup nga një distancë e afërt.

    Kreu i qeverisë po dilte nga një takim me kabinetin qeveritar, kur u kthye pas për të takuar disa nga mbështetësit që e thirrën në emër.

    Në momentin që u afrua me kangjellat rrethues, në drejtim të Ficos u qëllua 5 herë me pistoletë, nga një 71 vjeçar, i identifikuar si Jurai Tsintula, një shkrimtar i njohur në vend.

    “E bëra sepse nuk bie dakord me politikat e qeverisë”, u përgjigj autori disa momente pas arrestimit.

    Fico më pas u dërgua me urgjencë në spital në gjendje të rëndë, ku iu nënshtrua një operacioni që zgjati për disa orë, pasi një nga plumbat kishte prekur dhe organet jetësore.

    Në një konferencë për shtyp, zv.kryeministri Tomas Taraba tha se tashmë lideri sllovak është në gjendje të mirë dhe do të mbijetojë.

    Ky akt i rëndë u dënua nga liderët anembanë botës, mes të cilëve dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.