21/12/2024
Maqedoni

Marshi tradicional në nderim të arsimit shqip

    Klubet e bjeshkatarëve “KUMANOVA”, “Sytë e Sharrit” nga Tetova, “Shkupi” nga Shkupi, “Vjosa” nga Shtimja dhe “Presheva”nga Presheva, të dielën më 10 mars 2024 organizuan marshin tradicional “Shtegu i arsimtarit”, kushtuar 7 Marsit – Ditës së Mësuesit dhe Shkollës Shqipe, për të bërë një vizitë dhe nderim bustit të pishtarit të arsimit Nexhat Latifi, i cili tërë jetën ia kushtoi arsimit shqip, duke arsimuar gjenerata të shumta në lëndën e gjeografisë.

    Marshi u realizua në relacionin prej fshatit Bellanoc deri te Kulla dhe Amfiteatri i Shtrazës 15 km.

    Ky marsh i bjeshkatarëve Kumanovarë, Tetovarë, Shkupjan, Preshevarë dhe Kosovarë, ishte në respekt dhe mirënjohje për të gjithë mësimdhënësit shqiptarë, që gjatë jetës së tyre kanë arsimuar dhe arsimojnë gjenerata të shumta.

    Këtë vit Klubi i bjeshkatarëve “Kumanova” në kuadër të kësaj iniciative i ndau dy mirënjohje në veçanti për nder të 7 Marsit: për mësuesen Regaipe Osmani dhe mësuesen Letafete Destani, dy mësuese të dalluara të pensionuara, mësuese pishtare të arsimit në Kumanovë.

    Faleminderojmë përzemërsisht për bujarinë dhe zemërgjërësinë pasardhësit e të ndjerit z. Nexhat Latifi, për mikëpritjen që na bënë.

    Ky marsh tanimë tradicional deri te Kulla dhe amfiteatri i Shtrazès i cili i kushtohet shkollës shqipe dhe mësimdhënësve shqiptarë këtë vit i bëri së bashku bjeshkatarët shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Lugina e Preshevës.