22/12/2024
Kosovë

Kurti kujton 25 vjetorin e masakrave serbe në Gjakovë e Rahovec

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar 25 vjetorin e masakrave serbe në Gjakovë e Rahovec ku nuk u kursyen as gra e fëmijë.

     

    Përmes një postimi në Facebook, kurti tha se më 25 mars 1999, në Fortesë të Rahovecit u vranë 69 shqiptarë, mes tyre 15 fëmijë. Më i vogli ishte 3 vjeç.

    Atë ditë në Celinë të Rahovecit, rreth 500 ushtarë të Serbisë hynë në fshat nga katër drejtime.

    Ata vranë e masakruan 82 persona të moshave të ndryshme. 18 nga trupat i dogjën.

    Kurti përmendi disa emra që u vranë në këto masakra, duke cekur se në mesin e tyre kishte edhe fëmijë.

    “13 nga të vrarët ishin fëmijë: Alma (18 muajshe), Albani (5 vjeҫ), Bledari (8 vjeҫ), Besarti (10 vjeҫ), Altini (10 vjeҫ), Albulena (11 vjeҫe), Suzana (11 vjeҫe), Burbuqe (13 vjeҫe) nga familja Zeqiri, Ramazani (8 vjeҫi), Mejremja (15 vjeҫe) dhe Gëzimi (17 vjeҫ) nga familja Salihu, dhe Bedrush Hasani (15 vjeҫ) e Alban Rexhepi (14 vjeҫ)”.

    Kryeministri Albin Kurti duke kujtuar ato ditë të rënda thotë se policët e Serbisë ishin treguar të pamëshirshëm edhe ndaj grave e fëmijëve.

    “Kërkoni ndihmë nga NATO tash!”, u kishin thënë policët e Serbisë grupit prej 13 shqiptarëve në Fortesё (ish Bellacёrkё) para se të shtinin mbi ta me armë automatike. Çlirimi, Lumturija, Dhurata, Dardana dhe Dardani nga familja Zhuniqi dhe Xhemajli, Qamilja, Fiqirija, Ilirijana, Marigona, Labinoti e Lirimi nga familja Spahiu mbeten të vrarë. Ekzekutimit i mbijetoi vetëm Shkodran Zhuniqi, 4 vjeҫar”, ka shkruar Kurti në Facebook.

    Po atë ditë në masakrën në Brestoc të Rahovcit, forcat e armatosura serbe vranë 54 shqiptarë.

    25 vite më parë, masakrat mizore të Serbisë mbi popullsinë civile, lanë edhe 46 të vrarë në Tërnje të Suharekës dhe 20 të vrarë në Goden të Gjakovës, kufomat e të cilëve pastaj u dogjën.

    Në Randobravë të Prizrenit, forcat serbe vranë 8 anëtarë të familjes Pajaziti.

    Në mesin e tyre ishte një nënë me katër fëmijët e saj, të moshave ndërmjet 7 dhe 2 vjeç.

    Një ditë më parë kishte filluar fushata bombarduese nga forcat e NATO-s, me qëllim të ndalonin gjenocidin që po e kryente shteti i Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë.

    Pas fillimit të sulmeve ajrore, forcat e RFJ-së dhe të Serbisë filluan fushatën e tyre të gjerë dhe sistematike për vrasjen dhe dëbimin me dhunë të shqiptarëve të Kosovës.

    Bombardimet e NATO-s ndaluan projektin gjenocidal të Serbisë për shfarosjen e shqiptarëve.

    “Me ndihmën e vendeve aleate të NATO-s e arritëm lirinë e Kosovës, me rrënjët në gjakun e martirëve dhe dëshmorëve”, kujton Kurti.

    “I përjetshëm qoftë kujtimi për të gjithë të rënët për lirinë që e gëzojmë!”, ka përfunduar shkrimin e tij kryeministri Kurti.