Disa qindra qytetarë prej disa orësh vijojnë të jenë të bllokuar në Serbi, në pikë kufitare me Kroacinë.
Më herët sekretari i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Fatmir Haxholli tha se kjo gjë ka ndodhur në shenjë hakmarrjeje ndaj votimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë institucion.
E teksa po kalojnë orë që qytetarët janë në pritje në autobus. Një qytetar nuk është ndjerë mirë dhe ka humbur ndjenjat. Pasi i kanë dhënë ndihmën e parë, ai është nisur me urgjencë në një spital në Beograd.
Në lidhje me këtë situatë të krijuar në pikën kufitare ka reaguar edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon.
Ajo i bën thirrje Serbisë të ndalojë së turpëruari vetën dhe të lejojë qytetarët pasaporta dhe letërnjoftim të Kosovës që të kalojë kufirin e Batrovcit.
“Serbia duhet të ndalojë së turpëruari veten dhe menjëherë t’i lejoj qytetarët me pasaporta dhe letërnjoftim të Kosovës që të kalojë kufirin e Batrovcit! Duhet të sigurohet liria e lëvizjes së të gjithëve, pa diskriminim në bazë të kombësisë”, ka shkruar ajo.
Më herët edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar qytetarët e Kosovës që të evitojnë me çdo kusht kalimin nëpër Serbi, për shkak të situatës së krijuar mëngjesin e sotëm në pikat kufitare të shtetit serb.
MPJD dhe MPB theksojnë se janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme për të siguruar udhëtarët e ndaluar në kufirin Serbi-Kroaci, ndërsa shtojnë se dhe do t’iu mbajnë të informuar rreth detajeve të reja, për të shmangur përhapjen e frikës dhe kaosit në vend.