21/12/2024
Lajme Maqedoni

Konfiskohen 22 automjete luksoze në Maqedoni, Mercedes, Audi, BMW, Tesla..!

    Në aksionin e përbashkët dyditor të Sektorit për kontroll dhe hetime në Drejtorinë e doganave dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, janë konfiskuar 22 automjete të udhëtarëve me targa të huaja, që janë vozitur nga shtetas të Maqedonisë së Veriut.

    Drejtoria e Doganave ka publikuar edhe një video të automjeteve të konfiskuara. Në të shihen automjete të markave të njohura botërore.

    “Janë konfiskuar 4 Mercedes, 3 Audi, 2 BMW dhe një TESLA dhe të tjerë. Të gjitha automjetet janë drejtuar nga shtetas të RMV-së në territorin e vendit, për më shumë se 6 muaj. Kundër kryerësve është ngritur procedurë për kundërvajtje që do të dorëzohet në gjykatën kompetente” – thonë nga Drejtoria e Doganave.

    Drejtoria e Doganave ka sqaruar se konform kompetencave ligjore, që janë në pajtim me kriteret dhe kushtet e Konventës së Stambollit për import të përkohshëm, qytetarët e RMV-së dhe të huajt mund që përkohësisht të futin dhe të vozitin automjete në territorin e vendit, por maksimalisht 6 muaj brenda një viti, pas çka automjeti duhet të largohet nga territori i RMV-së.

    Në të kundërtën, sic thuhet në komunikatë, duhet që të paraqiten në doganën më të afërt të vendqëndrimit të përkohshëm dhe të nisin procedurat adekuate për import ose import të përkohshëm të automjetit. /