Alba Ahmetaj dhe Edlira Mara në tarracën e Bashkisë së Tiranës kurorëzuan dashurinë e tyre disavjeçare përmes një ceremonie simbolike fetare. Dy pastorë nga Britania udhëtuan drejt Shqipërisë për të zhvilluar këtë ceremoni, mes dy aktivisteve të komunitetit LGBTQI+.
Në praninë e dy vajzave të tyre 3-vjeçare, Alba dhe Edlira i thanë “po” njëra-tjetrës dhe morën “bekimin” e dy pastorëve. Ky fakt ka sjellë dhe reagime të shumta, jo vetëm nga qytetarët, por edhe nga Institucionet fetare.
Dom Mark Pashkja, zëdhënës i Kishës Katolike të Shqipërisë, ka sqaruar të gjithë besimtarët dhe opinionin publik. Dom Mark Pashkija përmes një deklarate zyrtare thekson se martesa mes personave të së njëjtës gjini është e papranueshme dhe kategorikisht e ndaluar.
Sa i përket pastorit i cili “bekoi” këtë martesë, Kisha Katolike thotë se nuk ka lidhje me ta dhe nuk përfaqëson asgjë të tyren.
“Personi në foto edhe pse paraqitet nga ana e jashtme me veshjen e një kleriku katolik, nuk ka asnjë lidhje me Kishën katolike dhe nuk përfaqëson asgjë tonën”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Deklarata
Sikurse jemi njoftuar nëpërmjet mediave, dje në ambientet e Bashkisë Tiranë, është zhvilluar një ceremoni në dukje “martesore” mes personave të së njëjtës gjini.
Në lidhje me këtë gjë Kisha katolike në Shqipëri dëshiron të sqarojë të gjithë besimtarët dhe mbarë opinionin publik që:
a) Bazuar në Doktrinën, Traditën dhe Magjisterin e Kishës, martesa mes personave të së njëjtës gjini është e papranueshme dhe kategorikisht e ndaluar.
b) Lejimi dhe publikimi i ceremonive të tilla në institucionet shtetërore janë të papranueshme për sa kohë martesat mes të njëjtës gjini nuk janë të aprovuara me ligj në vendin tonë.
c) Personi në foto edhe pse paraqitet nga ana e jashtme me veshjen e një kleriku katolik, nuk ka asnjë lidhje me Kishën katolike dhe nuk përfaqëson asgjë tonën.