23/12/2024
Shqipëri

“Karremi” i atentatorëve me vendin e parkimit, si u fut në kurth shqiptari në Greqi

    Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ekzekutimi i Roan Brahimit, krim që ndodhi rreth orës 21:30 të së enjtes në sheshin qendror të Bajronit në Athinë, ku persona të panjohur me motor qëlluan për vdekje 32-vjeçarin shqiptar, i cili ishte në makinë me gruan e tij, e cila u plagos lehtë.

    Makina është ndalur në kryqëzimin e rrugëve Messolongiou dhe Tsaldari. Fëmija shtatë vjeçar i çiftit, i cili po luante në shesh me gjyshen, ka parë me sytë e tij vrasjen e të atit, sipas dëshmitarëve okularë.

    Ekzekutorët raportohet se vëzhgonin çdo lëvizje të familjes së viktimës, ndërsa, mesa duket, kanë ruajtur një vend parkimi për Roan Brahimin për ta futur në kurth.

    Autorët kanë parë shënjestrën e tyre duke mbërritur dhe më pas, kanë ndezur motorin duke u larguar nga vendi i ngjarjes. Në këtë mënyrë vrasësit kanë lënë të lirë një vend parkimi që do të shërbente si “karrem” për 32-vjeçarin, i cili parkoi automjetin aty duke pritur për të marrë fëmijën.