27/12/2024
ShowBiz

I shkatërruar dhe “zemërthyer”, Agron Llakaj reagon pas humbjes së bashkëshortes: Sëmundja doli më e fortë

    Me “zemrën e thyer”  dhe i shkatërruar, aktori i njohur shqiptar Agron Llakaj ka reaguar vetëm pak ditë pasi humbi shoqen e tij të jetës, Kostandinën e tij.

    Në llogarinë e tij në “ Instagram”, aktori ka falenderuar të gjithë ata persona të cilët përmes mesazheve, vizitave ia bënë pak më të lehtë dhimbjen atij dhe fëmijëve.

    “Të dashur miq në pamundësi për t’iu kthyer përgjigje të gjitha mesazheve të drejtuara drejt meje dhe familjes time në rastin e humbjes së jetës të një njeriu shumë të shtrenjtë, Kostandinës tonë dhe Kostandinës time unë po iu drejtohem me këtë video-mesazh duke shprehur falenderimin dhe mirënjohjen e thellë për çdo fjalë zemre drejtuar drejt nesh nga ju sepse dihet mirë që edhe gëzimet edhe hidhërimet ndahen me njerëz, me miq, me të njohur dhe të panjohur.

    Moria e njerëzve në përcjelljen e lamtumirës së Kostandinës, por edhe në ditët e pritjes qëë familja jonë organizoi, gjithë kjo dashuri e madhe njerëzore në një mënyrë na bëri që për momentin ta kalonim disi më lehtë. Mali i dhimbjes që Kostandina la mbrapa nuk ka fjalë që mund ta shprehë sepse pesha është shumë e madhe dhe pikërisht për shkak të kësaj dhimbje ne po pranojmë vuajtjen. E pranojmë. Kam lexuar dhe stërlexuar shumë nga mesazhet tuaja për të ruajtur kujtimin e saj, por ne nuk do të ruajmë kujtimin e Kostandinës sepse ajo është në çdo frymarrje tonën, timen, të fëmijëve, të mbesës, të nipërve të mi dhe te të gjithë njerëzve të dashur.

    Por, jetën nuk e zgjedhim, e tillë është. Në dy vite Kostandina tregoi se jo thjesht ishte trau dhe shtylla e shtëpisë, por ishte dhe njeriu me karakterin më të fortë. Në dy vite në këtë tragjedi njerëzore, dhimbjeje në këtë betejë me një sëmundje të pamëshirshme, ishte ajo me karakterin e saj, vullnetin e saj, më dha mundësinë që unë të ushtroja profesionin tim. Të bësh humor me thikë në zemër është e vështirë, motiv ishte Kostandina.

    Dhe pas gjithë kësaj beteje ne e pranuam humbjen, sëmundja doli më e fortë. Ajo ç’ka Kostandina la mbrapa unë shpresoj që fëmijët e mi ta trashëgojnë dashurinë e madhe njerëzore, respektin njerëzor mbi gjithçka. Dua të them shumë, por i prekur dhe i emocionuar nga e gjithë pjesëmarrja e njerëzve dua të shpreh falenderimin e madh, mirënjohje dhe njëkohësisht t’ iu them duajeni njëri-tjetrin, respektoni njëri-tjetrin sepse pasuria më e madhe që Zoti mund t’ju japë gjithkujt është shëndeti, para shëndetit, jetës dhe njerëzve të dashur të familjes çdo gjë tjetër është shumë e vogël. Paçi ditë të gëzuara me shëndet dhe zemrat plot. Rrespekte nga unë personalisht, fëmihët e mi, nipërit dhe mbesat time. Faleminderit me zemër!”, dëgjohet të thotë aktori