24/12/2024
Lajme Maqedoni

Furkan Saliu me pranga: Partia që bashkëpunon me VMRO-në do të fundoset

    Shkruan Furkan Saliu

    Lepurusha, unë këtë betejë nuk e bëj vetëm në tastaturë e në rrjete sociale. Ende pa filluar fushata për zgjedhjet parlamentare unë përfundova nën pranga, e i gjithë opinioni e di se ato pranga ishin dënim për bindjet e mia e jo pse e kam shkel ligjin.
    E kam luftuar këtë mendësi anti-shqiptare me 23 vjet kur ju nuk keni guxuar t’ia përmendi emrin Mijallkovit e Gruevskit në kulmin e pushtetit të tij.
    E deri sa të marr frymë nuk ka shans të ndalem para këtyre strukturave që planin e kanë të qartë… Të përçajnë popullin, ta frikësojnë dhe ta vjedhin pa masë, ashtu siç e vodhën 20 vjet e më pas e dëgjuam se sa patriotë ishin.
    Unë me të vërtetë besoj se një ditë bashkëqytetarët tanë nuk do të na shohin si armik të shtetit, por si bashkëluftëtar për të krijuar një shtet më të mirë dhe të drejtë për të gjithë.
    E respektoj edhe mendimin ndryshe, por nuk mundesh me dhënë një mendim të caktuar për një tematikë duke u bazuar në atë se çfarë të konvenon për momentin.
    Urdhëroni dhe kërkoni në internet se çfarë mendimi kam për këtë strukturë të VMRO DPMNE-së prej ditës kur Mickoski erdhi në krye të partisë dhe e shihni se kjo nuk ka të bëjë me diçka tjetër përpos me mendësinë e kësaj partie.
    Që kur u largua gruevski ju pata thënë se atë e larguam por gruevizmin shumë zor do ta çrrënjosim.
    – Gordana Jankullovska, sapo u lirua në burg shtëpiak, ende pa shkuar të shtëpi të vet e takoi Mickoskin në pallatin e bardhë. Ky i fundit ballëhapur del dhe deklaron se ajo e ka derën hapur gjithmonë në VMRO DPMNE.
    – Pjesë e listës të kandidatëve për deputet është edhe një Igor Janushev. Urdhëroni kërkoni paraqitjet e tij publike por edhe se si ka menaxhuar me Ndërmarrjen publike për transport.
    – Kërkoni edhe fjalimet e Dafina Stojanovskës në Kuvend.
    – Kulmi i gjithë këtij nënçmimi ishte fotografia e sotshme me Johan Tarçullovskin.
    Kështu do ta luftojmë krimin dhe do të sjellim drejtësi?
    Mos e gënjeni vetën! Partia që do të koalicionojë me këtë VMRO DPMNE do të fundoset. Ajo qeveri nuk do të zgjatë shumë, e qytetarët dinë të jenë të pamëshirshëm.
    Do të thoni se ata i kanë numrat… Ok, le ta formojnë vet Qeverinë.