Vendimi kontestues i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore (FSSHM) shkaktoi ortek reagimesh në opinion. Për trajtimin në Austri të 17-vjeçarit Leonid Indov, i cili ka thyer brinjët, Fondi refuzoi të ndajë 140 mijë euro. Sipas Fondit, kërkesa e babait të Leonidit ishte e pabazë, pasi në rastin e tij djali i tij nuk është dashur të mjekohet, por të rehabilitohet.
“Nuk bëhet fjalë për udhëzim të mjekimit jashtë vendit, por për kryerjen e shërbimit shëndetësor rehabilitim mjekësor si trajtim spitalor i zgjatur… Sipas Ligjit për Sigurimet Shëndetësore, i siguruari mund të përdorë trajtimin spitalor jashtë vendit me miratimin e Fondit vetëm nëse bëhet fjalë për sëmundje që nuk mund të trajtohet në vend, ndërsa në shtetin drejt të cilit i siguruari drejtohet ka mundësi që ajo sëmundje të mjekohet me sukses”, njoftojnë nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore.
Ky arsyetim bazohet në Komisionin e shkallës së parë të Fondit, ndonëse portali meta.mk ka publikuar dokument me mendimin e mjekëve, i cili bie ndesh me vendimin përfundimtar.
“Me lëshimin e propozimit për udhëzim për trajtim jashtë vendit, këshilli pohon se janë shterur të gjitha mundësitë për trajtim në Republikë dhe garanton se janë plotësuar parakushtet ligjore për referimin e të siguruarit për trajtim jashtë vendit”, thuhet në Mendimin konsullor.
Ndërkohë, familja këmbëngul që Fondi ta ndryshojë vendimin dhe për disa nga mediat thonë se nëse do të kishte mundësi për ta trajtuar Leonidin në Maqedoni, nuk do të kishin vendosur fare për Austrinë. Në rrjetet sociale tashmë është duke u nënshkruar peticion për ndryshimin e vendimit, si dhe të Rregullores së FSSHM-së. Përveç peticionit, qytetarët mbledhin para edhe nga donacionet. Vetëm dy javë më parë, organet shëndetësore, si dhe përfaqësues të lartë të MPB-së, kanë regjistruar një video në të cilën mburreshin se djali i ri ishte pacienti i parë nga Maqedonia, i cili me medikopter ishte dërguar për trajtim jashtë vendit.
Leonid i mbijetoi një aksidenti të rëndë trafiku në Greqi verën e kaluar. Ai përfundoi me brinjë të thyera, dhe u trajtua fillimisht në spitalin e Selanikut. Edhe atëherë, donacionet janë mbledhur për shkak të trajtimit të shtrenjtë. Por më pas, pasi u transportua për në Shkup, shtëpia e familjes në Aerodrom të Shkupit ishte cak i hajnave dhe mbetën pa një pjesë të konsiderueshme të mjeteve të dhuruara. /Alsat.mk