22/12/2024
Lajme Maqedoni

Fronti Europian në Dibër/ Sela: Ky front hapën kapitull të ri në politikbërjen e shqiptarëve

    Fronti Europian mbrëmë aktivitetet parazgjedhore i vazhdoi në komunën e Dibrës. Para simpatizantëve, gjatë një bashkëbisedimi me banorët e kësaj ane fjalë rasti kanë mbajtur kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, kandidati për president Bujar Osmani dhe kandidati për deputet Musa Xhaferi.

    Ziadin Sela gjatë fjalimit të tij para dibranëve ka thënë se bashkim më të madh politik nuk ka pasur gjatë këtyre viteve në vend dhe se me këtë është hapur një kapitull i ri.

    Fronti Europian është fronti i cili në të ardhmen do ta bëj akoma më të fortë betejën politike që e ka bërë blloku politik shqiptar, e tani bashkë me komunitetet tjera etnike në mënyrë që të arrihet sa më shpejt barazia e tërësishme ndërmjet qytetarëve të këtij vendi, prandaj Fronti Europian është shumë i rëndësishëm si moment politik dhe natyrisht është për tu përshëndetur të gjithë ata të cilët dhanë kontribut për tu arritur ky Front Europian. Nuk kemi kundërshtar asnjë nga partitë politike shqiptare, asnjë nga pakicat tjera etike, betejën kryesore me atë subjekt politik i cili mundohet që të marr numër absolut të përfaqësimit politik dhe atë e thonë zëshëm në çdo paraqitje të tyre publike, 61 deputet përmendin, theksoi Sela.

    Ali Ahmeti tha se Fronti Europian është dhe do të vazhdoj të mbetet një ortek i cili do të vërshoj gjithçka përpara deri në arritjen e qëllimit themelor, anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian.

    U jam mirënjohës të gjithë përfaqësuesve të partive politike të cilët e përqafuan idenë e Frontit Europian përballë rreziqeve që kanosen. Europa është në luftë, Lindja është në luftë, ajo luftë që bëhet në lindje sigurisht që qendrën e ka në Kremlin, në Moskë dhe nuk mund ariu polar të jetë i qetë përderisa perandoria po përfundon. Të gjitha këto vatra zjarri në Lindje të mesme pikërisht bëhen për të ruajtur perandorinë ariu dhe me kthetrat e tij të lëndoj të gjithë popujt që duan lirinë, ashtu siç vepron edhe në Ukrainë. Ky Front Europian ndërtohet prej misionarësh, unë jam krenar dhe nga do që shkoj e shoqëroj kandidatin për president bashkë me autorët e Frontit Europian, besoni që nuk e dalloj kush është i BDI-së, kush është i Aleancës, kush është i PDSH-së, kush i partisë Europiane, të gjitha nëntë partitë janë të bashkuara në këtë Front Europian dhe pikërisht të gjithë e kanë kuptuar misionin që ky front nuk është për një përdorim, për një zhvillim, por është i ndërtuar për një mision: Antarësimin e vendit në Bashkimin Europian. Punë më të mençur, punë më të mirë, shërbim kombit se sa të anëtarësohemi në BE nuk ka, deklaroi Ahmeti.

    Bujar Osmani shtoi se Fronti Europian është një bashkim historik i fuqive politike dhe i synimit europian me qëllim të garantimit të një jete më të mirë dhe më të pasur për të gjithë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

    Jam i privilegjuar që jam i vetmi kandidat shqiptar për president që pas vete ka nëntë parti politike dhe katër komunitetet më të mëdha në vend dhe mbi supet e mia bart një nga misionet më fisnike qindvjeçare, atë të heqjes së kufijve midis nesh. Ky është Fronti Europian. Ky front më ka mundësuar që të jem bajraktar i heqjes së kufijve nëpërmjet integrimit të rajonit tonë në Bashkimin europian dhe unë i jam falënderues Frontit dhe politike që këtë besim të madh e ka vendosur mbi supet e mia. Integrimi europian është kryefjala e këtij fronti, kryefjala e këtij procesi zgjedhor dhe unë kam folur shumë në këto zgjedhje se këto nuk janë zgjedhje të rëndomta por që këto janë zgjedhje ku vendi jonë, shteti jonë, fati jonë ,familjet tona, fëmijët tanë janë vendosur në mes dy alternativave ose në atë të integrimit ose në atë të izolimit, ose të bashkëjetesës, ose të supremacisë që kërkon 61 deputetë, u shpreh Osmani.

    Musa Xhaferi u shpreh se ka bindjen që Fronti Europian do ketë marrë 90% të votave të mundshme në Dibër dhe vendbanimet përreth.

    Ndryshimi në praktikë ka ndodhur me vetë krijimin e Fronit Europian, ajo që dukej e pabesueshme që partitë politike shqiptare nuk mund të bëhen bashkë, jo vetëm që u bënë bashkë por rreth vetes i bashkuan edhe komunitetet më të vogla, Partinë Demokratike Turke, atë boshnjake, të romëve dhe të tjerëve për një ide më madhore, për tu bërë një bllok i fuqishëm, deklaroi Xhaferi.