Prestigjozja britanike “Reuters” i ka kushtuar një artikull minatorëve të Kosovës, atyre burrave trimë dhe me shpirtin e bardhë të cilët çelin agjërimin e Ramazanit 800 metra nën tokë.
“Minatori kosovar, Emin Hasani, ndihet më afër Zotit, kur ha iftarin 800 metra nën tokë”, kështu e nis artikullin “Reuters”, teksa më tej vijon: Pas një ndërrimi të gjatë e dërrmues në thellësinë e minierës së Trepçës në Stantërg, në veri të Kosovës, Hasani e shikon orën për të kuptuar se kur do të perëndojë dielli dhe nëse është koha për të çelur agjërimin.
Të ulur përreth një tavoline të vogël në një zyrë të improvizuar në minierë, ai dhe katër kolegë i nxjerrin hurmat, jogurtin, turshitë dhe djathin, të cilat i shoqërojnë me çaj të zi. Burrat qeshin e bisedojnë mes vete teksa ndajnë vaktin e Iftarit.
“Unë jam gjithmonë i lidhur me Allahun, në kohë si tash, ku jemi 800 metra nën tokë. Sa më thellë që futem, aq më afër Allahut ndihem”, thotë Hasani.
Kosova është shtet me shumicë myslimane dhe qindra minatorë të minierave të plumbit, zinkut e argjendit po e mbajnë Ramazanin, ndonjëherë duke duruar temperatura afër 40 gradëve e lagështi ekstreme.
“Agjërimi nuk është problem për ne, por mungesa e ajrit të pastër, pajisjeve, rrobave e këpucëve moderne janë problem i madh”, tha shefi i ndërrimit, Fehmi Hajredini.
Trepça punësonte mbi 22 mijë punëtorë në vitet 1970 dhe 80 dhe përbënte dy të tretat e prodhimit vendas bruto të Kosovës. Tani ajo punëson vetëm 3,000 në miniera dhe objekte të tjera. Çmimet e ulëta të mineraleve dhe tkurrja e prodhimit nënkuptojnë se kompania nuk mund t’i mbulojë kostot operuese dhe po kërkon subvencione qeveritare. Në qytetin e Mitrovicës, pak më larg minierës, Bashkim Kurti, shef ekzekutiv i Trepçës, tha se ai është në bisedime me Qeverinë për një hua prej 20 milionë eurosh për përmirësimin e kushteve të punës dhe shtimin e prodhimit.