27/12/2024
Lajme Maqedoni Uncategorized

Fetai: ASH-ja është e Taravarit, Ziadin Sela është patericë e Ali Ahmetit

    Kryetar legjitim i Aleancës për Shqiptarët, është Arben Taravari, thotë shefi i kabinetit të tij, Arben Fetai.

    Në një intervistë për gazetën LAJM, Fetai, tha se beteja ligjore për kreun e partisë tashmë ka nisur dhe se pret që Gjykata e Tetovës të sjell vendim të drejtë.

    “Faktikisht këtu nuk është që ka betejë, argumentet janë që të gjitha në anën tonë. E kemi thënë publikisht dhe e kemi faktuar edhe me deklaratat e noterizuara të anëtarëve të partisë, në çdo nivel të organeve vendimmarrëse. Arben Taravari, kryetari legjitim i zgjedhur në kongres të ASH-së ka shumicë në kongres, ka shumicë në kuvendin e partisë dhe ka shumicë edhe në kryesinë e partisë. Rrjedhimisht, unë besoj që e vërteta nuk ka si mos të dal në shesh dhe se do konfirmohet se ASH-ja është ky grupi i rreshtuar përkrah Arben Taravarit. Dokumentet janë dorëzuar në gjykatën e Tetovës dhe ne presim vendim meritor, vendim të drejtë dhe vendim të shpejtë, sepse jemi në një periudhë zgjedhore ku qytetari, votuesi nesër duhet ta ketë të qartë se për kë voton dhe kush është ASH-ja, të konfirmohet kjo edhe me vendim gjykate”,tha Fetai.

    Duke folur për përlasjet në ASH, Fetai komentoi edhe deklaratat e Ziadin Selës në drejtim të Arben Tarvarit, të cilat i quajti qesharake.

    “Unë nuk dua shumë t’i komentoj deklaratat e Ziadin Selës. Ziadin Selën e kam pasur kryetar, përderisa ka qenë kryetar i kemi shërbyer kryetarit legjitim të partisë. Unë besoj se deklaratat e tilla në përgjithësi janë qesharake. Është një përpjekje e dëshpëruar e një ish lideri politik, për të qëndruar disi relevant në tregun politik vendor. Unë besoj që Arben Taravari është në rrugën e vet, e kemi thënë në vazhdimësi, ne jemi në rrugën tonë, nuk kemi devijuar nga rruga. U futëm në Qeveri për një arsye të caktuar, në rrethana të caktuara, kur rrezikohej që vendi të shkoj në zgjedhje sepse shumica parlamentare nuk ishte stabile. Kishim porosi nga faktori ndërkombëtar në vend dhe Prishtina e Tirana, që ta anashkalojmë me çdo kusht shkuarjen në zgjedhje dhe të jepet shansa për t’u realizuar ndryshimet kushtetuese dhe hapja e negociatave për anëtarësim në BE. Unë personalisht, Arben Taravari dhe shumë tjerë e kemi patur të qartë se pse po futemi në këtë Qeveri. U futëm në Qeveri vetëm për këtë qëllim, nuk u futëm për tu “BDI-zuar” dhe për të bërë nesër koalicion parazgjedhor me BDI-në. Unë besoj që krahu tjetër që është rreshtuar prapa Ziadin Selës këtë plan e ka pasur prej ditës parë, por nuk kanë qenë të sinqertë ndaj neve tjerëve, nuk kanë qenë të sinqertë as ata ndaj vetëvetës dhe votuesit. Në vazhdimësi, prej ditës parë kur jemi futur në Qeveri ne kemi dëgjuar thashetheme të koluareve, ku flitej se kjo është marrëveshje 1+4, që dmth 1 vit qeverisje dhe 4 vite pas zgjedhjeve, gjë e cila nuk guxonte të ndodhë. Nuk mundet ta shesim projektin, kauzën tonë sepse Ali Ahmeti është sot në një situatë ku partia i është ndarë me ikjen e Izet Mexhitit, pushteti rrezikohet dhe i duhet një patericë tjetër për të mbajtur disi në pushtet. Unë besoj që këta njerëz që janë rreshtuar përkrah BDI-së në këto rrethana realisht janë paterica, paterica të Ali Ahmetit dhe nuk mund t’i komentoj ndryshe”, u shpreh Fetai për gazetën LAJM.