21/12/2024
Botë Shqipëri

Do pinte cigaren e fundit para gjumit, shqiptari rrëzohet dhe humb jetën , HISTORIA e tij prekëse në Itali/ Si përfundoi nga emigrant i thjeshtë në biznesmen

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Itali ku një shqiptar ka humbur jetën në mënyrë tragjike. Sipas mediave italiane mësohet se ngjarja ka ndodhur në Cologna ku 41-vjeçari shqiptar, Flogert Rroshi, humbi jetën pasi u rrëzua nga shkallët e shtëpisë.

    Rroshi teksa po zbriste shkallët për të pirë një cigare në katin e parë, siç bënte zakonisht para se të flinte gjumë, është rrëzuar dhe fatkeqësisht humbi jetën në spitalin  e Borgo Trento të Veronës pas dy ditësh i pavetëdijshëm.

    Shqiptari, babai i dy djemve 14 dhe 10 vjeç, u gjet nga bashkëshortja e tij, Esma.  Ajo fillimisht mendoi se ishte rrëzuar ndonjë mobilje, mirëpo kur zbriti në katin e parë gjeti bashkëshortin e saj pa ndjenja në dysheme. Ajo menjëherë njoftoi ambulancën, mirëpo pavarësisht ndihmës së mjekëve shqiptari nuk arriti të mbijetonte duke ndërruar jetë dy ditë pas ngjarjes.

    Historia e Flogertit

     “Një histori e trishtë ajo e Flogert Rroshit”, kështu thonë mediat italiane. Jo vetëm për shkak të moshës së tij të re dhe mënyrës si gjeti vdekjen, por edhe sepse guximi, shkathtësia dhe ndenja e tij e përgjegjësisë e kishin lejuar që të krijonte një jetë në Itali, duke blerë një shtëpi për familjen e tij dhe duke hapur një biznes të vetin artizanal. Tani, gjithçka që ai kishte ndërtuar duke se është shembur nga kjo tragjedi.

    Rroshi u largua nga Shqipëria me një varkë në verën e vitit 2000 në moshën 17-vjeçare për të kërkuar fatin e tij në Itali. Ai kishte zbritur në Bari, i vetëm, dhe kishte hipur në një tren për t’u bashkuar me një kushëri në Italinë e Veriut. Prej aty ai filloi të ndërtojë të ardhmen e tij, duke punuar shumë. E dashura e tij Esma qëndroi në vendlindje, shoqja e fëmijërisë, shkëmbi dhe dashuria e tij e madhe. Në vitin 2003 u kthye në Shqipëri për t’u martuar me të dhe në vitin 2004 e mori me vete në Itali. Pesë vjet më vonë sollën në jetën fëmijën e tyre të parë, Geisi, katër vjet më vonë erdhi edhe Enriko. I pari luan futboll në klubin vendas, Union Scaligera Academy, ndërsa Enriko është përfshirë në sektorin e të rinjve të Cologna Basket.

    Familja e bashkuar

    Flogert dhe Esma ishin një çift i lidhur ngushtë. “Ai ishte shumë më i sjellshëm dhe më i duruar se unë”, tregon Esma, “Ne të katërt kemi bërë shumë udhëtime me makinë, burrit tim i pëlqente të më mbante dorën dhe më thoshte gjithmonë se së bashku jemi të fortë. Tani ndihem e humbur, as nuk e di se çfarë dite është”, ka folur bashkëshortja e 41-vjeçarit shqiptar për mediat italiane. Ashtu siç Flogertit i pëlqente të mbante dorën e bashkëshortes së tij, edhe ajo e mbajti për dore në Repartin e Kujdesit Intensiv gjatë gjithë orëve të gjata të agonisë pas rënies tragjike.

    “Ndjeva se nuk mund ta lija vetëm për asnjë minutë. Mjekët ishin shumë të kuptueshëm dhe më lejuan të qëndroja pranë shtratit të tij edhe kur mbaronte orari i vizitave”, tregon Esma. Çfti kishin arritur të bëheshin shtetas italian vitin e kaluar , në ditëlindjen e Flogertit, më 29 dhjetor.

     

    Ne foto: Flogert Rroshi
    Ne foto: Flogert Rroshi

    Tragjedia

    Megjithatë, ëndrrat e tyre u shkatërruan në mënyrë tragjike të enjten e kaluar. Nëna me dy fëmijët e saj tashmë kishin fjetur, ndërsa 41-vjeçari, si zakonisht, kishte zbritur në katin e parë të shtëpisë për të pirë cigaren e fundit para se të flinte.

    “U zgjova për shkak të një zhurme shumë të madhe : mendova se kishte rënë një pjesë e mobiljeve”, tha Esma. Pasi zbriti ajo gjeti Flogertin të shtrirë në fund të shkallëve, pa ndjenja.

    “Mendova se kishte humbur ekuilibrin dhe ishte rrëzuar. Por, mjekët më sqaruan se ai kishte pësuar një atak në zemër dhe për këtë arsye ishte rrëzuar. Fatkeqësisht, truri i tij ishte dëmtuar si pasojë e goditjes së fortë. Ata u përpoqën në çdo mënyrë ta stimulonin, por fatkeqësisht nuk kishte asgjë për të bërë”, shtoi bashkëshortja e 41-vjeçarit .