22/12/2024
Lajme Shqipëri

Djalin e vetëm të familjes e vranë me thikë në zemër, përcillet për në banesën e fundit 18-vjeçari

    Mes dhembjes dhe hidhërimit, të afërm të shumtë kanë mbërritur pranë familjes Dervishi për t’i dhënë lamtumirën e fundit 18-vjeçarit, i cili u qëllua me thikë në zemër mbrëmjen e djeshme në Shkozë.

    Fatkeqësisht ai gjeti vdekjen rrugës për spital, ndërkohë autorët nuk e ndihmuan, por u larguan menjëherë pas ngjarjes për t’i shpëtuar policisë.

    Aurelio ishte djali i vetëm i familjes, ndërsa pas ka lënë edhe një motër më të madhe. Ai do të përcillet sot pasdite për në banesën e fundit.

    Burime për mediat bënë me dije më herët se shkak i sherrit mes të rinjve dyshohet se është bërë një vajzë. Gjithashtu mësohet se në momentin e sherrit ajo ka qenë prezente në makinën ku ndodhej edhe 18-vjeçari Dervishi.

    Dyshohet se personi që e ka goditur me thikë në gjoks Dervishin ka qenë i mituri 15-vjeçar, tashmë i ndaluar nga Policia.

    Më herë shoku i 18-vjeçarit tregoi në komisariat si nisi sherri që i mori jetën Aurelio Dervishit. Sipas tij gjithçka ishte për shkak të një konflikti të çastit, ku dy grupet e të rinjve që po udhëtonin me dy automjete të ndryshme kanë nisur sherrin në distancë, pas fjalëve “Ç’a ke që shef?”.

    Gjithashtu shoferi i mjetit ku ndodhej viktima ka deklaruar se nuk i njihte autorët. Paraparakisht mësohet se agresorët i kanë bërë shenjë makinës ku lëvizte viktima që të ndalonte, por nuk janë bindur. Më pas dy makinat kanë ndaluar afër rrethit të Shkozës dhe aty janë konfrontuar fizikisht. Në ato momente i ndjeri Aurelio Dervishi është goditur me thikë në gjoks, duke mbetur i plagosur rëndë.

    Dervishi ishte pasagjer në automjetin tip “Audi”, ndërsa autorët me automjet tip “Volkswagen Tiguan”. Këta të fundit menjëherë pas ngjarjes u larguan, por arratia e tyre nuk zgjati shumë pasi efektivët e Policisë së Tiranës bënë të mundur kapjen e tyre.

    Më herët Policia njoftoi se kanë bërë të mundur shoqërimin në Komisariat e 4 prej autorëve, një 20 vjeçar i identifikuar si Frensis Shehu si dhe tre të mitur.

    “Janë identifikuar, kapur dhe shoqëruar në ambientet e Policisë shtetasit F. Sh., 20 vjeç, dhe tre të mitur të moshës 16 vjeç, 16 vjeç, një 15 vjeç, dhe po punohet per dokumentimin e plotë të ngjarjes”, njoftoi Policia më herët.