22/12/2024
Shqipëri

Deputetja : Nuk është problemi ynë që vajzat shqiptare shkojnë të punojnë eskorta në Dubai!

    Deputetja Ermonela Felaj është shprehur në Komisionin e Ligjeve se pavarësisht perceptimit në opinionin publik për vajzat shqiptare që shkojnë në vende si Dubai për të ushtruar prostitucion, ky nuk është një problem i autoriteteve në Shqipëri, por i vendeve pritëse.

    Gjatë ballafaqimit të gjetjeve të progres-raportit për vitin 2023 për Shqipërinë me kryeprokurorin Olsian Çela, Felaj tha se në të evidentohej dhe rritja e veprave penale që lidhen me trafikimin e qenieve njerëzore dhe trafikun e armëve të zjarrit.

    Në raport me gjetjen e parë, ajo kërkoi reagim nga Prokuroria e Përgjithshme, për të sqaruar nëse bëhet fjalë për trafikim apo gjatë rrugës cilësimi i veprës penale ndryshon. Sipas deputetes socialiste, adresimi i prostitucionit në vende si Dubai nga vajza shqiptare, i takon vendit pritës dhe jo atij të origjinës.

    “Unë thjesht do desha që rasti që ballafaquam këto të dhënat statistikore, përsa i takon veprës penale “Trafikim i qenieve njerëzore” dhe Trafikim i armëve të zjarrit” me atë se çfarë thotë progres-raporti, do ju nxisja të reagonit. Të reagonit ndaj këtij raporti, për të kuptuar nga vijnë këto gjetje.

    Për të analizuar a ka referime ku cilësimi nga ana e Policisë bëhet si trafikim dhe pastaj rrugës ndryshon cilësimi, ndryshon nga prokuroria apo gjykata?!

    Apo kjo është thjesht perceptimi i gabuar do thosha unë, se kjo nuk flet për kriminalitetin në Shqipëri, që flitet shumë në media dhe publik që shumë vajza shqiptare punojnë si eskorta në vende si Dubai dhe Emiratet dhe ky konsiderohet sikur është problem i Shqipërisë. Ky nuk është problem i Shqipërisë, sepse i takon vendeve të tjera të ndalojnë ushtrimin e prostitucionit. Nuk është problemi ynë”, u shpreh Ermonela Felaj, deputete e PS.