Shpallja listës së Kombëtares nga ana e trajnerit Sylvinho ka ngjallur reagime të ndryshme, me tifozët që u pozicionuan në dy kahe. Megjithatë orët e fundit në rrjetet sociale po qarkullojnë disa “screenshote” ku pretendohet se babai i Keidi Bares nuk është përmbajtur aspak duke përdorur një gjuhë joetike nëpër komente. “O bukëshkelësa, o robq*ra. Ju q*fsha gratë të tërëve”, ishin komentet që mbanin dhe foton e tij me të birin, Keidin.
Për këtë, Newsbomb kontaktoi drejtëpërdrejtë babain e mesfushorit të njohur për ta pyetur më shumë se çfarë ka ndodhur. Ai mohoi të kishte përdorur këtë lloj gjuhe, ndaj shkurtimisht u shpreh: “Jo, nuk është e vërtetë. Unë jam burrë dhe nuk kam frikë të shaj drejtëpërdrejtë që të përdor rrjetet sociale. Dikush është futur në facebook-un tim dhe ka përdorur emrin tim. Po të kem gjë, dal edhe e them. Kjo është gjë madhore, s’është e vogël. Më kanë njoftuar miqtë e mi për ato komente. Nuk kam lidhje fare”, tha fillimisht ai.
Ndërkaq, i pyetur për listën e Kombëtares ku mungonte Keidi Bare, Artani “përtypet”, por mjaftohet duke thënë: “Nuk e mori, bravo i qoftë. Keidi ka punuar që 13-vjeç për atë Kombëtare. Vjen dita dhe shiko çfarë ndodh. Megjithatë nuk kam çfarë të shtoj më shumë se kaq”, përfundoi babai i mesfushorit të kuqezinjve që për EURO 2024 nuk u ftua nga trajneri Sylvinho.
Kujtojmë që gjatë kualifikueseve, fieraku u aktivizua në disa ndeshje, por pa arritur të jetë në formën e tij më të mirë. Dëmtimet e shumta e penalizuan për të dhënë maksimumin dhe kjo mund të ketë qenë një nga arsyet që trajneri Sylvinho nuk e ka grumbulluar për fazën përgatitore që do të zhvillohet në Austri.