30/12/2024
Lajme Maqedoni

Bujar Osmani kandidati i Ali Ahmetit për President

Ne foto: Bujar Osmani dhe Ali Ahmeti
Ne foto: Bujar Osmani dhe Ali Ahmeti

    Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka prezantuar Bujar Osmanin si kandidatin e partisë së tij për zgjedhjet presidenciale.

    Në një deklaratë për mediat, Ahmeti tha se Osmani, i cili aktualisht mban postin e Ministrit të Jashtëm të Maqedonisë, do të jetë kandidatura e tyre për President.

    Me sloganin “Jo Rusisë, po Evropës”, kreu i BDI-së u bëri thirrje qytetarëve që të përkrahin Bujar Osmanin.

    “Ariu polar, Rusia po na troket në derë dhe ka ndërhyrë në të gjitha poret e shoqërisë sonë dhe duke e ndikuar skenën partiake në vend. Rusia është prezente në partitë politike, në media, në shoqërinë civile dhe në çdo segment shoqëror, jo vetëm tek ne, por edhe në rajon. Putin dhe Lavrov deklaruan se anëtarësimi i RMV-së në NATO është vija e zjarrit.  Jemi dëshmitarë që na pamundësohet anëtarësimi në BE dhe të na rikthehet izolimi. Maqedonia është vend i vogël në udhëkryq të civilizimeve. Prandaj iu ftoj që të bëhemi bashkë ta zhvillojmë betejën e fundit të luftës së përjetshme dhe t’i themi bashkërisht ‘jo Rusisë, po Evropës’”, tha Ahmeti, teksa më tej ftoi deputetët që të miratojnë ndryshimet Kushtetuese, sa i përket zgjedhjes së Presidentit, i cili të zgjidhet nga Kuvendi.

    Kush është Bujar Osmani: 

    Bujar Osmani ka lindur më 11 shtator 1979 dhe ka të kryer Fakultetin e Mjekësisë në Shkup. Osmani ka titullin specialist-kirurg të cilin e ka marrë në Klinikën për Kirurgji digestive. Specializimin ai e ka përfunduar në Shkup dhe në Londër në qendrën për transplantimin e mëlçisë dhe kirurgjisë abdominale.

    Në politikë Osmani ka mbajtur disa role kyçe, siç ka qenë Ministër i Shëndetësisë për një mandat. Po ashtu ai është edhe zëdhënësi i Partisë BDI, e cila kryesohet nga Ali Ahmeti. Aktualisht Osmani është Ministër i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, duke u bërë shqiptari i parë me këtë post.

    Po ashtu Osmani është shqiptari i parë që ka arritur të kryesojë mbledhjen e samitit të OSBE-së. 

    Leave a Reply