Një fëmijë dhjetëvjeçar është sulmuar nga një tufë qensh endacak në Tetovë me çka ka pësuar lëndime në këmbën e tij.
Nëna e fëmijës në rrjetin e saj Facebook ka shpërndarë fotografi të djalit të saj nga plagët e shkaktuara nga qeni, ndërsa ka kërkuar që komuna të përkujdeset për sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve.
“Kjo është këmba e djalit tim Kalin. Kalin është 10 vjeç dhe dje në orën 18:30 doli të luajë jashtë dhe në mes të qendrës së këtij qyteti të tmerrshëm të Tetovës, përballë një kopshti, ku duhet të jetë më i sigurti, 6 qen rrugësh iu lëshuan dhe njëri prej tyre e kafshoi. Ai ra, u tërhoq zvarrë dhe kërkoi ndihmë. Faleminderit atyre që erdhën dhe e ndihmuan. Para disa ditësh, qentë sulmuan shokun e tij Jakobin, më parë shokun e tij Marko”, shkruan nëna Vesna.
Ajo kërkoi nga kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami dhe autoritetet kompetente që prioritet të kenë sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve.
“Në këtë qytet na hanë qentë, thithim helm, ka mbeturina nga çdo anë, nuk ka gjelbërim, nuk ka ku të luajnë fëmijët, nuk është e sigurt të lëvizësh…. tmerr! Në këtë qytet qytetarët nuk jetojnë, mbijetojnë!”, thotë Vesna Iliç.
Sot një grup qytetarësh marshuan në shenjë proteste në Tetovë për rastin e qenit i cili ra nga një ndërtesë shumëkatëshe.
Nga ana tjetër, Tetova mbetet vend i rrezikshëm nga qentë endacakë pasi ata janë të shpërndarë në të gjithë qytetin.
Edhe pse kanë kaluar tre muaj nga viti 2024, Komuna e Tetovës vetëm dje (29.03.2024) ka hapur tender për “Program për zbatimin dhe zgjidhjen e problemit të kafshëve të pastreha”. Për këtë vit, komuna ka ndarë 4 milion denarë për këtë problematikë.
Sipas Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, nga 1 janari deri me 14 mars janë raportuar 26 raste të sulmeve nga qentë endacakë në Tetovë.