22/12/2024
Lajme Maqedoni

BDI: Izet Mexhiti e pranoi shkatërrimin e Çairit me legalizimet e paligjshme të mbi 30 ndërtesave Çair

    BDI përmes një kumtese ka akuzuar Izet Mexhitin kreun e LD-së për legalizimet e paligjshme të mbi 30 ndërtesave Çair.

    ”Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh indinjatë ndaj keqpërdorimit masiv të besimit të qytetarëve nga ana e dyshes Izet Mexhiti dhe Visar Ganiu të cilët pranuan publikisht që janë përgjegjës për krimin shekullor me legalizimet e mbi 30 ndërtesave për banim kolektiv në Çair Faktin që ka vendos vet, e jo sipas ligjit, se cili objekt duhet legalizuar e cili jo, Mexhiti tenton ta kamuflojë duke hedhur fajin në mënyrë absurde ndaj qytetarëve të Çairit edhe atë për objekte të banimit individual.

    Izet Mexhiti para gjithë opinionit pranoi me gojën e vet se vendimet për legalizimet e objekteve apo ndërteseve i ka marrë ai vet si kryetar i komunës dhe me prirje politike/korruptive, e jo në formë strikte siç e parashikojnë dispozitat ligjore.

    Edhe sot e pyesim se pse ai, nëse e ka ditur se po bën shkelje të rëndë ligjore, ka vendosur të nënshkruajë aktet e legalizimit të objekteve që po i përmend bashkë me mbi 30 ndërtesa kolektive të ndërtuara pas vitit 2011 dhe nuk ka ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore për rrënimin e tyre.

    Atë që mediat e kanë raportuar tashmë, Izet Mexhiti më në fund e pranoi që ai ka vendosur vet për legalizimet e objekteve pa leje, e jo ligji! Organet e drejtësisë pas këtij pranimi flagrant të përgjegjësisë duhet të veprojnë pa asnjë vonesë.

    Bashkimi Demokratik për Integrim potencon se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin dhe për zbatimin e tij përgjegjës absolut janë bartësit e caktuar të funksioneve publike dhe në asnjë mënyrë faji për moszbatimin e ligjeve nuk duhet t’u hidhet qytetarëve” – thuhet në kumtesën e BDI-së.