22/12/2024
Maqedoni

Bashkëjetesa mes komitëve dhe pseudonacionalistëve të VLEN-it!

    Medai Shaholli

    (Rrëfenjë nga fushata zgjedhore)

    Tashmë prej vitesh daton bashkëjetesa e komitëve me pseudonacionalistët e VLEN-it në komunën e Gostivarit, ku për këtë mrekulli në tokë ata thonë se kanë treguar një shembull të paparë të bashkepunimit të shkëlqyer mes nacionalistëve nga të dy kampet nacionale edhe pse thuhet që ekstremet nuk përputhen por fatkeqësisht ata janë puqur.

    Kësisoj, tre vjet më parë votat e komitëve në zgjedhjet lokale të vitit 2021, ua mundësuan pseudonacionalistëve të Taravarit fitoren në komunën e Gostivarit, ku deri më sot falë kësaj miqësie ata qeverisin së bashku pa asnjë shqetësim me këtë komunë.

    Megjithë përpjekjet e disa zërave të mbytur atdhetarë gostivaras në të kaluarën edhe sot, për të ngritur monumente për çlirimtarët shqiptarë siç janë dëshmorët e UÇK-së apo emërimin e ndonjë rruge me emrat e tyre brenda qytetit të Gostivarit, ata janë penguar dhe refuzuar kategorikisht nga komitët e Mickos si aleatët më të ngushtë të pseudonacionalistit Arben Taravarit, si dhe nga titistët e rinj socialdemokrat jo vetëm sot por edhe në mandatet e kaluara.

    Komitët dhe titistët e rinj jo vetëm në Gostivar por as në Strugë dhe Tetovë, nuk kanë lejuar por përkundrazi, kanë penguar dhe bllokuar përmes “levës” së badinterit si diskriminim dhe provokim të pakicës maqedone, vendosjen monumentet e dëshmorëve të UÇK-së dhe të dëshmorëve të tjerë të lirisë nga periudha të ndryshme historike nëpër sheshet e qyteteve me shumicë shqiptare.

    Nuk është se këta të Frontit na kanë nxjerrë në dritë gjatë pjesëmarrjes së tyre e kanë lumosur dhe e kanë qullosur me servilizëm për dy dekada në pushtet duke fjetur herë me komitët e herë me titistët e rinj për të përfituar nga leverditë e pushtetit.
    Por ama, as ju pseudonacionalistët e VLEN-it, që s’vleni pesë para, nuk ua sillni dot shqiptarëve ndryshimin duke hyrë në qeveri pa kushte vetëm nga babëzitja për pushtet.

    Si do ta sjellin ndryshimin pseudonacionalistët e Taravarit kur ai vetë si kryetar komune nuk guxon ta përmend emrin e Xhem Hasës, sepse për komitët dhe titistët e rinj të Dhimos ai mbetet edhe më tej armiku i “drzhavës”?

    Si do të vijë ndryshimi me komitët ne krye të qeverisë, ku ju “reformatorët” e së djathtës të grupuar në lëvizjen VLEN, që duket se nuk do të keni focën e numrave në parlamentin e ri për t’i diktuar reformat për ndryshime rrënjësore në qeverinë e re të koalicionit?

    Dhe ju e dini shumë mirë se në pjesëmarrjen juaj të mundshme në qeverinë e ardhshme të koalicionit do të jeni një “rrotë rezervë” e rrugëtimit te ri të qeverisjes së vendit, ku në rastin e parë të ndonjë konflikt interesi apo mospërputhje interesash me komitët, vjen zëvendësimi me një “shfalerkë” tjetër shqiptare e cila pret me pa durim pas derës.

    Ja këta janë pseudonacionslistët e Taravarit, që thirren me krenari si pasues të shqiptarizmës, por nga ana tjetër nuk guxojnë t’i thonë jo partnerëve të tyre komitë, kur diskriminohen dhe mohohen të drejtat kombëtare dhe vlerat kulturore historike të shqiptarëve në komunën ku ai udhëheq si kryetar i saj.

    Dhe falë kësaj bashkëjetese të suksesshme në nivel lokal komitët dhe “nacionalistët” e VLEN-it kanë menduar që këtë lloj bashkëpunimi ta ngrejnë në nivel republikan, me pjesëmarrjen e përbashkët në qeverinë e koalicionit.