Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë në ngjarjen e organizuar nga Partia Socialdemokrate e Gjermanisë, SPD – partia në pushtet e kancelarit Olaf Scholz – në hapësirat e Bundestagut gjerman, për nder të 75-vjetorit të themelimit të Këshillit të Europës.
Nga atje kryeministri Kurti ka dhënë dy paralajmërime: zgjidhje për Asociacionin dhe votim për lejimin e bashkëjetesës për personat e gjinisë së njëjtë, madje për të dytën deklaroj se do të merret personalisht për ti siguruar votat për këtë çështje dhe se është caktuar edhe vendimi për mbledhjen e Qeverisë.
Megjithatë, janë disa deputetë të subjektit politik, Lëvizja Vetëvendosje, që janë kategorikisht kundër votimit për lejimin e bashkëjetesës për personat e gjinisë së njëjtë.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Gramoz Agusholli për FrontOnline deklaron se nuk do të ndryshoj aspak qëndrim sa i përket votës së tij rreth lejimit e bashkëjetesës për personat e gjinisë së njëjtë.
‘’ Jo, jo jo…., nuk ka me ndryshu absolut qëndrim. Unë flas për vete, nuk kam ndryshuar asnjë qëndrim. Qëndrimi ka me qenë i njëjtë.’’ thotë ai.
Deputeti Agusholli po ashtu thotë se nuk do të ndryshoj qëndrim edhe nëse kryeministri Albin Kurti, i cili është edhe shef i subjektit ku ai është deputet i bën trysni rreth kësaj çështje.
‘’Ai mundet ndonjë trysni me pas, por nuk ka me ndiku me trysni tek unë. Unë mendoj përtej trysnisë, përtej partisë e para se gjithave, mendoj për popullin, kur janë këto çështje në pyetje’’ deklaron ai.
Agusholli më tej shton se nuk ndryshon fare qëndrim edhe nëse vota e tij për këtë çështje do të vendoste që ai të jetë apo jo kandidat për deputet në zgjedhjet e reja.
‘’Nuk e kam atë problem hiç, përderisa unë i kam qëndrimet e mia edhe nëse kjo ka me kushtuar që mos me u kandidu unë për deputet, ka me mbajt qëndrimin tim’’ u shpreh Agusholli për FrontOnline