Aktivisti i shoqërisë civile Rron Gjinovci, i ka reaguar gazetarit Baton Haxhiu, i cili e ka sulmuar atë përmes një shkrimi, ku ka mbrojtur gazetarin Lirim Mehmetaj.
Përmes një postimi në Facebook, Gjinovci e ka quajtur Haxhiun “përfaqësues të Serbisë në Kosovë”. “Po e ndaj ne juve nji lajm tepër të gëzueshëm!
Më thanë se eksponenti zyrtar i UDB-së në Kosovë e paska shkru njië shkrim të gjatë ku më paska sulmu edhe mu. Kjo do me thënë që diçka dëm i kam bërë Serbisë. Kjo është hera e parë që kam dëshmi që Serbia përmes përfaqësuesit të vet në Kosovë është kundër meje. Nuk e keni idenë sa i nderum jam. Sa i lumtur jam. Sepse edhe unë jam kundër Serbisë”, ka shkruar Gjinovci. Baton Haxhiu, së fundmi, ka shkruar një artikull, në të cilin ka komentuar ftesën nga prokuroria e Kosovës për Lirim Mehmetajn, analist i përhershëm në “Debat Plus”.
Ai ka shkruar se kryeministri Albin Kurti, e ka gabim nëse mendon se i frikëson gazetarët me përndjekje. Haxhiu madje ka shkruar se Kurti e VV-ja janë burimi kryesor i gjuhës së urrejtjes në Kosovë në dy dekadat e fundit.
“Në rast se dikush do t’i përgjigjet drejtësisë për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit është vetë Albin Kurti me gjithë skllevërit e tij të cilët prej dy dekadash janë burimi kryesor i gjuhës së urrejtjes në vend”, ka theksuar ai.
Në shkrimin e tij, Haxhiu ka përmendur edhe Gjinovcin.
“Një grua e pacipë, e cila është rritur politikisht duke sharë, gënjyer nëpër debate televizike kundër njerëzve më të vyer të shoqërisë në Kosovë, nuk nguroi për tu tallur me mesazhin e Dejona Mihailit kundër Ilir Mirenës. Kjo sjellje, natyrisht, jo vetëm që nxit klimën e sulmeve ndaj gazetarëve, por pastaj manifestohet edhe në përndjekje politike si kjo kundër Mehmetaj.
Të njëjtët kanë vënë në krye të RTK-së një të paditur si Rilind Gërvalla (dorën në zemer me një babë shunë të mirë) dhe në krye të KPM-së një partizane si Luljeta Aliu. Të njëjtët mendojnë se mendimi politik në Kosovë duhet të formohet nga një shërbëtor i tyre si Shkelzen Gashi dhe se mund të shantazhojnë profesorët universitar nëpërmjet nipit të pronarit te DEA-s, Rron Gjinovcit”, ka shkruar ndër tjerash Baton Haxhiu.