Një operacion antidrogë është zhvilluar orët e vona të mbrëmjes së djeshme në rrugën e Kavajës në Tiranë.
Gjatë aksionit policia është hasur me një makinë tip “Volkswagen Tiguan” me ngjyrë të bardhë me targë AB 780 MP, shoferi i të cilës nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar.
Në tentativë për t’i shpëtuar prangave shoferi ka përplasur makinën e policisë duke rrezikuar kështu jetën e efektiveve. Policia ndodhur në këtë situatë ka qëlluar me armë drejt makinës dhe për pasojë ka mbetur i plagosur Enea Sulejmani 30 vjeç, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Bashkë me Sulejmanin në makinë ndodheshin dhe dy të tjerë, të cilët janë shoqëruar në ambientet e DVP Tiranë. Sakaq në mjet është gjetur një pako me peshë 1 kg, e dyshuar kokainë.
Për ngjarjen janë njoftuar strukturat e AMP-se të cilat do të kryejnë veprimet hetimore nën drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Njoftimi i policisë së Tiranës:
Sot më datë 21.03.2024, në vendin e quajtur rruga “Mihal Duri”, gjatë një operacioni policor të strukturës për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, kanë qenë duke kryer veprime operacionale në kuadër të procedimit penal nr. 496 te vitit 2024, veprime të autorizuara nga organi i Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Gjatë momentit që stuktura operacionale ka tentuar të ndalojë automjetin tip “Volksëagen Tiguan” me ngjyrë të bardhë me targë AB 780 MP, drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrave të policisë për të ndaluar dhe ka ecur mbrapsht duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë dhe duke përplasur me qëllim shmangien automjetin e sherbimit të policisë.
Gjatë tentativës për t’u larguar një nga punonjësit e policisë ka qëlluar me armë në drejtim të automjetit dhe për pasojë është plagosur shtetasi E. S., i cili është dërguar menjëherë në spitalin e traumës nga punonjesit e policisë dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Në automjet janë konstatuar dhe dy persona të tjerë të cilët janë shoqëruar në ambientet e DVP Tiranë.
Në automjet është konstatuar një pako me peshë rreth 1 kg brenda së cilës dyshohet se lende narkotike kokainë.
Janë njoftuar strukturat e AMP-se të cilat do të kryejnë veprimet hetimore nën drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
AMP, pas kryerjes së veprimeve të para në vendngjarje dhe sqarimit të të gjitha rrethanave do të bëjë njoftim të plotë mbi këtë ngjarje.