Gjithçka dukej se po shkonte sipas rrjedhës logjike me torinezët që kaluan në avantazh. Vlahovic mori në zonë një asist perfekt nga Di Maria me “bomberi” serb që nuk shpërdoroi duke e dërguar topin në rrjetë. Goli vuri në gjumë ekipin e Allegrit ndërsa Nantes i ndëshkoi me një kundërsulm të shpejtë në minutën e 60-të duke barazuar shifrat. Fati nuk ishte me Juven, ku fillimisht Chiesa e më pas Di Maria u ndalën te shtyllat.
Në fund, në minutën e 95-të, gjyqtari i takimit u thirr nga VAR për një prekje të topin me dorë në zonë, në favor të Juves, por arbitri gjeti një faull në sulm, duke bërë që sfida e parë të përfundoi në barazim 1-1. Pavarësisht se mllefi i tifozëve ishte i madh, për rezultatin, por mbi të gjitha për mos akordimin e një penalltie në fund, Allegri nuk preferoi të bënte moviolë, por theksoi se ekipi i tij mund të bënte më mirë teknikisht në këtë sfidë.
Ndryshe nga Allegri, mediat italiane nuk e kanë pritur mirë këtë barazim të Juves. “Tërbimi i Juves”, shkruan La Gazzetta, ndërsa Tuttosport shtron pyetjen: A nuk ishte penallti?