futboll|lajme
“Messi” quhet mi kanalesh në klubin katalonas

Një tjetër “bombë” shpërthen në Camp Nou. Sipas “El Periodico de Catalunya”, një hetim i autoriteteve spanjolle ka treguar se shifrat stratosferike të kontratave të Leo Messi dhe Gerard Pique i janë dhënë mediave nga vetë drejtuesit e klubit katalanas, me në krye Presidentin e atëhershëm Bartomeu.
Sikur të mos mjaftonte kjo, hetimi ka zbuluar edhe ofendimet e rënda që zyrtarë të lartë të Barcelonës i bënin lojtarëve më të mirë të skuadrës.
Në mars të vitit 2020, shefi i departamentit ligjor të klubit, në një email shkruante për mundësinë për të publikuar kontratat e yjeve të skuadrës. “Nuk do të ishte ide e keqe të publikonim kontratat milionere të ekipit të parë, që njerëzit t’i përbuznin publikisht”, i shkruante Gomez Ponti Presidentit Bartomeu.
Kur këto kontrata dolën në dritë, nisi sherri mes drejtuesve të klubit për të gjetur kush i kishte nxjerrë, si dhe pati shumë ofendime ndaj futbollistëve. I vetmi që ruajti qetësinë ishte Presidenti i klubit, i cili në një email shkruan: “Rrjedhja e informacionit mbi kontratat mund të ketë dalë vetëm nga brenda klubit. Ai që e ka bërë, e ka dëmtuar klubin”.
Por, bie në sy toni i shefit të shërbimeve juridike të klubit, Román Gómez Ponti, kur flet për Messin: “Bartomeu, sinqerisht, nuk mund të tregohesh kaq i mirë me atë mi kanalesh. Klubi i ka dhënë gjithçka dhe ai vendosi diktatin e tij për merkaton, rinovimet, reklamat, duke parë vetëm interesin e tij. Ne i dimë shantazhet që na ka bërë ai xhuxhi, që Barcelonës i ka borxh jetën. Por, kur vjen pandemia, të çon mesazh ty në WhatsApp, duke të thënë që t’ia ulësh rrogën të gjithë të tjerëve, por vetëm atij dhe Luisit (Suarez) jo. Shpresoj që të largohet sa më parë nga Barcelona”.
Përgjigjja e Bartomeut ishte e tillë: “Jam dakord me shumë gjëra, por Barcelona është e para dhe artikuj të tillë e dëmtojnë klubin”.
Futboll
Në Itali hapet hetimi i dytë, rrezikojnë disa klube të Serisë A

Dënimi i rëndë i vendosur ndaj Juventusit nga Gjykata e Apelit e federatës italiane në lidhje me fitimet kapitale fiktive duket se është vetëm fillimi i një tërmeti të vërtetë që mund të përfshijë shumë klube të tjera në Serinë A, Serinë B dhe Serinë C si dhe jashtë saj.
Pritet të hapet një linjë e dytë hetimi për transaksione të tjera të dyshimta në merkato të kryera nga Juventus-i, të cilat për rrjedhojë do të përfshinin klube të tjerë. Seanca e parë e këtij gjyqi të ri sportiv do të zhvillohet më 22 shkurt 2023 dhe mes skuadrave të përfshira duhet të jenë ato klube që kanë kryer shkëmbimet që i nënshtrohen hetimit të zakonshëm të drejtësisë me bardhezinjtë, përfshirë Milanin dhe Romën.
Psh, Leonardo Spinacola te verdhekuqtë dhe Luka Pelegrini te bardhezinjtë dhe Milani, për operacionin e dyshimtë që pa Leonardo Bonuçin të kthehej në Torino në këmbim të kartonit të Matia Kaldarës.
Ka klube të tjera të Serisë A që po dridhen për çështjen e fitimeve të supozuara fiktive kapitale. Rrethi i skuadrave që rrezikojnë të përfshihen në gjyqin e dytë sportiv për fitimet kapitale fiktive është shumë më i gjerë dhe ka të bëjë si me ekipet italiane ashtu edhe ato të huaja.
Futboll
Antonio Konte i jep fund aventurës me Totenhemin

Antonion Konte nuk do të jetë më trajneri i Totenhemit pas përfundimit të sezonit, sipas asaj që raporton gazetari i njohur italian, Xhianluka Di Marxio.
“Lajmi që mund t’iu them me siguri është se Antonio Konte do të largohet nga Totenhemi në fund të sezonit. nuk ka pasur asnjë shkëndijë, kontrata e tij do të skadojë dhe klubi nuk do të bëjë asnjë përpjekje për ta mbajtur”, u shpreh gazetari italian.
Prej kohësh përflitej se 53-vjeçari do të largohej nga Spërsat, por sipas asaj që thotë Di Marxio duket se nuk ka më asnjë vend për dyshime, me klubin anglez që duhet të nisë të kërkojë për një trajner të ri.
Futboll
Karton i bardhë në Portugali, mësoni funksionin e rregullit më të ri në futbollin luzitan

Një risi ka ndodhur në futbollin portugez, aty ku u luajt derbi i Lisbonës midis Benfikës dhe Sportingut në Kupë, ku gjyqtari nxori për herë të parë kartonin e bardhë, i cili është rregulli më i ri në Portugali.
Ndryshe nga i verdhi dhe i kuqi, kartoni i bardhë do të ketë një funksion krejt ndryshe në fushën e lojës, e cila i tregohet për të vlerësuar për “fair-play”.
Në fundin e pjesës së parë, dikush në stol është ndjerë keq dhe stafet e të dyja ekipeve shkuan për ta ndihmuar. Pas qetësimit të situatës gjyqtari i drejtoi kartonin e bardhë, me tifozët që e brohoritën këtë gjest.