22/12/2024
Maqedoni

“Loja nuk ka filluar akoma” / Ahmeti: Emocionet të lihen anash, na duhet stabilitet

    “Loja nuk ka filluar akoma”.

    Kështu u shpreh kreu i BDI-së, prijësi i Frontit Europian, Ali Ahmeti në takimin e sotëm me liderët e këtij koalicioni.

    Tre ditë pas zgjedhjeve, kur VMRO-DPMNE-ja dhe VLEN-i tashmë kanë nisur komunikimet e para për bashkëqeverisje, Fronti Europian këmbëngul se janë përfaqësuesit legjitim të komunitetit joshumicë në Maqedoninë e Veriut dhe se vota e qytetarëve duhet respektuar.

    Për të dakorduar qëndrimet rreth kësaj, në Shkup u mblodhën gjithë liderët e Frontit Euriopian.

    Ali Ahmeti bëri thirrje që nostalgjitë, inatet dhe dallimet të lihen anash sepse nuk zënë vend në politikë.

    “Jemi të bindur se më shumë se kurrë vendit tonë i duhet stabiliteti, i duhet paqja, marrëdhëniet e mira mes komuniteteve. I duhet zero problem me fqinjët dhe anëtarësim i plotë në BE. Po e them edhe një herë, emocionet t’i lëmë pas krahëve por të bëjmë të gjithë përpjekje të ndërtojmë struktura të qëndrueshme të shtetit dhe këto kapacitete janë në Frontin Europian, të gatshëm të jepi pjesë dhe bartës të proceseve”, u shpreh Ali Ahmeti FE.

    Për herë të parë Ahmeti lexoi deklaratën e përbashkët, për të cilën pohon se është nënshkruar nga liderët e partive shqiptare, dhe ku thuhet se “tani dhe në të ardhmen të bashkëpunojmë dhe qeverisim vetëm me ato parti politike që pranojnë të mbështesin ndryshimet kushtetuese për integrimin e vendit në BE”.

    “Nënshkrimet e përfaqësuesve të partive politike: Arben Taravari, Afrim Gashi, Ali Ahmeti, Bilall Kasmi, Izet Mexhiti”, tha Ahmeti.

    Deri më tani, nga koalicioni VLEN ka pasur deklarata të ndryshme rreth kësaj marrëveshjeje. Arben Taravari vetëm ka pohuar se ekziston një marrëveshje xhentëlmenësh se nuk do të bëhet hyhet në qeveri pa ndryshimet kushtetuese, por pa specifikuar nëse kjo është e shkruar dhe e firmosur. Nga ana tjetër, Izet Mexhiti është shprehur se një dokument i tillë nuk ekziston.

    E duke folur rreth kësaj marrëveshjeje, kryetari i ASH-së, pjesë e Frontit, Ziadin Sela, u shpreh se partia e tyre e ka nderuar fjalën e dhënë dhe se do të vazhdojnë deri në fund t’i realizojnë premtimet e tyre.

    “Zotimet që i kemi marrë përpara qytetarëve dhe bashkërisht do të arrijmë që t’ia dalim, premtimin që e kishim që sa më shpejtë vendi të bëhet anëtare e BE, sa më shpejtë këtë zotim ta çojmë përpara dhe ta plotësojmë këtë premtim të dhënë përpara qytetarëve”, tha Ziadin Sela, FE.

    Kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi, deklaroi se ndryshimet kushtetuese mund t’i bëjë vetëm Fronti Europian. Këtu folën edhe liderët e tjerë që përbëjnë Frontin Europian, duke argumentuar se duhet respektuar vota e qytetarit.