Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thotë se Kosova synon që së shpejti të bëhet vendi i dytë në Ballkanin Përendimor, pas Malit të Zi, që do t’ia ofrojë qytetarëve të saj të drejtën e bashkimit civil të së njëjtës gjini.Kurti gjatë fjalimit të tij në Bundestagun gjerman për shënimin e 75-vjetorit të themelimit të Këshillit të Europës të organizuar nga Partia Socialdemokrate e Gjermanisë (SPD), ai tha se po punohet që në një të ardhme shumë të afërt ta kalojnë Kodin Civil në të cilin përfshihet dispozita për bashkimin civil të të njëjtit seks.“Për këtë unë personalisht do të ndërtoj një shumicë parlamentare – dhe do të bëj thirrje për mbështetje të gjerë për këtë edhe nga partitë opozitare. Vendimi për mbledhjen e qeverisë për këtë çështje tashmë është marrë”- tha Kurti, duke shtuar se Kosova e meriton të jetë pjesë e kësaj organizate ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Kurti rikujtoi se 75 vjet më parë, në prill të vitit 1949, u krijuan dy institucione që kanë transformuar historinë evropiane: NATO dhe Këshilli i Europës, të cilat i cilësoi si shtyllat e paqes demokratike në Evropë.Duke nënvizuar se Kosova mëton dhe punon për anëtarësimin në NATO e Bashkimin Evropian, ai tha se hapi i parë për bashkimin me demokracitë evropiane është anëtarësimi në Këshillin e Europës.Ai ka folur edhe për minoritetet, duke siguruar se do të zgjidhen çështjet e pazgjidhura me të cilat ballafaqohen ato, duke “përfshirë minoritetin serb të Kosovës, si prioritet”. Për këtë, ka thënë se po punojnë me anëtarët gjermanë të Bundestagut për të hartuar nisma të reja dhe të mëdha. “Takimet e mia këtu në Berlin për këtë kanë qenë shumë inkurajuese”, ka deklaruar Kurti.Kryeministri bëri thirrje miqve gjermanë që ta mbështesin vendin tonë edhe në këtë hap të fundit të anëtarësimit të plotë në Këshillin e Evropës, si vendi i 47-të anëtar.
Më 16.04.2024 Kosova kaloi hapin e dytë drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës, pasi që u votua për në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës. 131 ishin pro dhe 29 kundër.Më 16 mars të vitit 2022, Projekt Kodi Civil nuk e mori mbështetjen në parim nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. Mospajtime dhe debate të ashpra përcollën leximin e parë, përderisa të gjitha kritikat lidheshin me nenin 1138 që përcaktonte hartimin e një ligji të posaçëm, përmes të cilit do të lejohej regjistrimi i “bashkësive civile” ndërmjet personave me gjini të njëjtë. Seancat e rregullta të Kuvendit zakonisht zhvillohen të enjteve, mirëpo në asnjë të enjte të vitit 2023, Projekt Kodi nuk u dërgua para ligjvënësve apo edhe në Qeveri.