Pjesëmarrja në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale deri në orën 17:00 të pasdites së sotme është 44,18 për qind, tregojnë të dhënat e Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) nga 1788 vendvotime.
Nga gjithsej 50.362 votues të regjistruar në komunën e Kërçovës, në këto vendvotime kanë votuar 18.236
votues, ose 36,26 për qind, informoi në konferencë për media kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski.
Pjesëmarrja më e madhe prej 67,19 për qind është në Novaci, ndërsa më e ulëta në Pllasnicë, 15,5 për qind.
“Deri më tani në të gjitha vendvotimet votohet në mënyrë të qetë”, tha Dashtevski.
Krahasuar me raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2019, deri në orën 17:00 në këto zgjedhje ka një pjesëmarrje më të madhe me rreth nëntë për qind.
Deri më tani në KSHZ janë dorëzuar 308 kundërshtime për mbrojtjen e të drejtës personale të votës, nga të cilat 75 janë pranuar dhe votuesve iu është dhënë mundësia të ushtrojnë të drejtën e votës, 25 janë refuzuar si të parregullta. 38 janë refuzuar, ndërsa pjesa tjetër janë në procedim.